Vendosni fjalën kyçe....

Reshje të dendura në Vlorë, probleme në qarkullim dhe infrastrukturë


Reshje të dendura shiu, të shoqëruara me erë të fortë, kanë përfshirë qytetin e Vlorës pasditen e sotme, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe përmbytje në disa rrugë të qytetit.

Sipas pamjeve të publikuara nga terreni, në disa zona është vërejtur grumbullim i ujërave të shiut dhe kufizim i lëvizjes së mjeteve. Rruga “Albano dhe Romina” është një nga më të prekura, ku niveli i ujit ka sjellë pengesa në qarkullim. Probleme janë raportuar edhe në lagjet “Pavarësia” dhe “Skelë”, si dhe përgjatë bulevardit kryesor të qytetit.

Reshjet me intensitet të lartë kanë krijuar vështirësi në infrastrukturën rrugore, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe pemë të thyera për shkak të erës.

Situata po monitorohet nga autoritetet vendore, ndërkohë që nuk raportohet për dëme në njerëz. Moti i paqëndrueshëm vijon të ndikojë edhe në qytete të tjera të vendit.