Vendosni fjalën kyçe....

Fshehu emigrantin nën kamion, procedohet një 30-vjeçar në Qafë Thanë


Policia kufitare në Korçë ka goditur dy raste paligjshmërie në pikën kufitare Qafë Thanë dhe në atë të Goricës.

Në Qafë Thanë, gjatë një kontrolli në një kamion që po hynte në Shqipëri, u zbulua një shtetas maroken i fshehur nën rimorkio. Shoferi u procedua penalisht për ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit.

Ndërsa në Goricë, në një tjetër automjet u gjetën produkte ushqimore dhe medikamente pa fatura. Shoferi u procedua për kontrabandë dhe mallrat u sekuestruan.

Njoftimi:

DVKM Korçë/Goditen në PKK Qafë Thanë dhe në PKK Goricë, 2 raste të paligjshmërive në kufi.

Gjatë kontrolleve të imtësishme, të kryera në bazë të analizës së riskut, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë konstatuan në hyrje të Republikës së Shqipërisë, 2 raste të paligjshmërive në kufi. Konkretisht:

-në PKK Qafë Thanë, gjatë kontrollit në kamionin që drejtonte shtetasi V. T., 30 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, u gjet i fshehur nën rimorkio, 1 shtetas maroken. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 30-vjeçarin, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;

-në PKK Goricë, gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi T. A., 63 vjeç, banues në fshatin Zaroshkë, u gjetën produkte ushqimore dhe medikamente, të papajisura me fatura blerjeje. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 63-vjeçarin, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”. Gjithashtu, mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Kontrollet kundër paligjshmërive në kufi dhe tentativave për të lëvizur ilegalisht, vijojnë, krahas punës për menaxhimin e fluksit dhe ofrimin e një shërbimi policor të shpejtë dhe me etikë për qytetarët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.