Vendosni fjalën kyçe....

Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, kryeministri i RMV dënon aktin: E papranueshme, do të hetojmë rastin


Gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan thirrje me përmbajtje nacionaliste dhe ksenofobike ndaj shqiptarëve, duke shkaktuar reagime të forta nga politikanët vendas dhe rajonalë.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, dënoi këto thirrje, duke i cilësuar si të papranueshme dhe duke theksuar se ato vijnë nga një grup i vogël njerëzish. Në një deklaratë më 4 gusht, Mickoski u bëri thirrje të gjithë tifozëve që të mbështesin ekipin kombëtar në mënyrë sportive dhe pa nxitje urrejtjeje.

“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’u bashkuar në dënimin e nacionalizmit dhe ksenofobisë – sidomos për atë që ndodhi gjatë ndeshjes në Kumanovë,” tha ai.

Mickoski njoftoi gjithashtu se thirrjet ndaj shqiptarëve do të hetohen dhe do të sanksionohen, pavarësisht nga burimi i tyre. Zyrat e prokurorit kanë nisur një hetim për këtë incident.

Nga ana tjetër, presidentja e Kosovës ka kërkuar masa të menjëhershme nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut ndaj organizatorëve të këtyre thirrjeve antishqiptare, duke vënë theksin mbi rëndësinë e respektit dhe bashkëjetesës ndëretnike.

Ministri i Sportit maqedonas, Borko Ristovski, tha se Ministria e Sportit nuk ka kompetenca për të ndërhyrë direkt ndaj tifozëve, por bëri apel për përgjegjësi dhe respekt në stadiume.

Ai njoftoi se do të ndihmojnë në identifikimin e përgjegjësve dhe veprimin në përputhje me ligjin.

Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënime deri në pesë vjet burg për nxitjen e urrejtjes racore, fetare ose etnike, sipas nenit 319, që do të jetë baza ligjore për hetimin në vazhdim.

Në këtë kontekst, thirrjet antishqiptare që u dëgjuan në Kumanovë si “një shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur” dhe “dhomë gazi për shqiptarët” kanë shkaktuar shqetësim të gjerë dhe janë dënuar nga politikanë të shumtë si shkelje e rëndë e normave të bashkëjetesës dhe respektit në rajon.