Vendosni fjalën kyçe....

Rama për kritikat ndaj Kodit Penal: Të alarmuarit të shmangin diellin, liria po përdoret për shamata


Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit publik mbi draftin e ri të Kodit Penal, duke ironizuar kritikët dhe duke theksuar se drafti është bërë publik për konsultim transparent.

Në një postim në rrjetin “X”, Rama shkruan: “Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell.”

Ai thekson se dokumenti është hartuar nga ekspertë të fushës dhe se qeveria e ka publikuar me synimin për të mbledhur sa më shumë opinione.

“Drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij,” shtoi kryeministri.

Në përfundim të reagimit, Rama u ndal edhe te çështja e lirisë së shprehjes, duke thënë: “Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj.”

Drafti i ri i Kodit Penal ka shkaktuar reagime të forta nga përfaqësues të opozitës, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë të së drejtës, të cilët e kanë cilësuar atë si një tentativë për të kufizuar fjalën e lirë.

Qeveria nga ana e saj këmbëngul se çdo ndryshim do të konsultohet gjerësisht përpara miratimit.

 

Reagimi i plotë:

Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.

Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj