
Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, lidhur me çështjen “Partizani”.
Dosja ndaj tij, e cila kaloi për gjykim më 19 maj, e akuzon Berishën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
Berisha akuzohet se, në kohën kur ishte kryeministër, ka ndërhyrë në miratimin e ligjeve dhe vendimeve që favorizuan dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, për ndërtimin e 19 kullave në truallin e ish-kompleksit “Partizani”.
Malltezi përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash, pasi sipas SPAK ka përfituar rreth 5.4 milionë euro në mënyrë të parregullt.