Vendosni fjalën kyçe....

Proda në Arabinë Saudite: Forcohet bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe asaj saudite kundër krimit dhe terrorizmit


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të homologut të tij, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami, Drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë Publike.

Kjo vizitë vjen në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes dy institucioneve të rendit dhe përforcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Gjatë takimit mes dy drejtuesve të lartë të policisë, u theksua rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve ekonomike dhe atyre kibernetike.

Drejtori Ilir Proda u shpreh se forca e Policisë së Shtetit shqiptar ka prioritet zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare me agjencitë ligjzbatuese në mbarë botën, si mënyrë për t’u përballur me sfidat globale të sigurisë.

“Jemi të vendosur të luftojmë së bashku krimet që tashmë nuk njohin kufij,” deklaroi Proda, duke vlerësuar gjithashtu eksperiencën saudite në menaxhimin e sigurisë gjatë pelegrinazheve masive, si dhe përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për parandalimin e rreziqeve.

Nga ana e tij, Gjeneral Lejtnant Al-Bassami shprehu gatishmërinë për të mbështetur Policinë shqiptare me trajnime, mbështetje logjistike dhe veprime të përbashkëta hetimore, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2023.

Delegacioni shqiptar zhvilloi gjithashtu takime me drejtues të sigurisë publike në qytetet e shenjta Mekë dhe Medinë, ku u shkëmbyen përvoja mbi menaxhimin e aktiviteteve masive dhe menaxhimin e turmave.

Vizita u vlerësua nga të dyja palët si një hap strategjik drejt ndërtimit të një partneriteti afatgjatë dhe të qëndrueshëm mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe asaj saudite, me synim rritjen e kapaciteteve profesionale dhe efikasitetin në luftën kundër rreziqeve të përbashkëta.