Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu dhe BE-ja reagojnë pas publikimit të videove të pengjeve nga Hamasi


Ndërsa luftimet në Gaza vijojnë, grupi militant Hamas ka publikuar një tjetër video ku shfaqen dy nga pengjet izraelite që mban ende në robëri. Sipas zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu është ndjerë “i tronditur thellë” nga pamjet.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Netanyahu ka folur me familjet e dy pengjeve të identifikuar në video, Rom Braslavski dhe Evyatar Davi, duke i siguruar se “përpjekjet për lirimin e të gjithë pengjeve vazhdojnë pa ndërprerje.”

Në ditët e fundit, Hamas dhe aleati i tij, Xhihadi Islamik, kanë publikuar disa video ku shfaqen pengjet në tunele të nëndheshme, të kapur që prej sulmit të 7 tetorit 2023.

Publikimi i këtyre pamjeve ka nxitur reagime të forta në Izrael. Dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur në Tel Aviv duke i kërkuar qeverisë të arrijë një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e menjëhershëm të pengjeve

Në klipet e shpërndara nga grupet islamiste palestineze, 21-vjeçari Braslavski, me shtetësi të dyfishtë gjermano-izraelite, dhe 24-vjeçari David duken të dobët dhe të kequshqyer. Në njërën nga videot, pengu izraelit Evyatar David i thotë kamerës se “po e hap varrin e tij”.

“Ajo që po bëj tani është të hap varrin tim. Çdo ditë trupi im bëhet gjithnjë e më i dobët. Po ec drejt e te varri im. Atje është varri ku do të varrosem. Koha po mbaron për t’u liruar dhe për të qenë në gjendje të fle në shtratin tim me familjen time”, dëgjohet të thotë David në videon e publikuar nga Hamasi, ndërsa 24-vjeçari shpërthen në fund të deklaratës.

“Vendosja e qëllimshme e urise së djalit tonë si pjesë e një fushate propagandistike është një nga aktet më të tmerrshme që bota ka parë. Ai po vdes urie thjesht për t’i shërbyer propagandës së Hamasit”, thuhej në një deklaratë të lëshuar nga familja e Davidit, ndërsa protestat përfshinë Izraelin për shkak të vonesës së reagimit të qeverisë Netanyahu ndaj një marrëveshjeje për pengjet.

Franca dhe BE-ja dënojnë videot

Videot e publikuara nga Hamasi kanë tërhequr kritika globale për trajtimin e pengjeve, si dhe për situatën e vazhdueshme të urisë në Rripin e Gazës. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se imazhet “janë të tmerrshme dhe ekspozojnë barbarinë e Hamasit”, duke bërë thirrje për lirimin e “të gjithë pengjeve… menjëherë dhe pa kushte”.

Në të njëjtin postim në X, Kallas tha se “Hamasi duhet të çarmatoset dhe t’i japë fund sundimit të tij në Gaza”.

Franca , e cila u kritikua ashpër për veprimin e saj për të njohur Palestinën, gjithashtu i ka dënuar videot.

“Imazhe të neveritshme dhe të padurueshme të pengjeve izraelite të mbajtura për 666 ditë në Gaza nga Hamasi. Ata duhet të lirohen, pa kushte”, shkroi të dielën ministri i jashtëm francez Jean-Noel Barrot, duke shtuar se “Hamasi duhet të çarmatoset dhe të përjashtohet nga sundimi i Gazës”./HindustanTimes