
Të paktën 50 persona janë rrëmbyer nga persona të armatosur në shtetin Zamfara të Nigerisë veriperëndimore, në një tjetër sulm të rëndë që tregon përshkallëzimin e krizës së banditizmit në rajon.
Sipas një raporti privat monitorimi të konfliktit të përgatitur për OKB-në dhe siguruar nga agjencia AFP, rrëmbimi ndodhi të premten në fshatin Sabon Garin Damri, një zonë e thellë rurale ku bandat e armatosura prej kohësh ushtrojnë kontroll përmes rrëmbimeve për shpërblim, grabitjeve dhe vendosjes së taksave ndaj banorëve lokalë, përcjell The Guardian.
Raporti nënvizon se ky është incidenti i parë i quajtur “kapje në masë” në zonën e qeverisjes lokale Bakura për këtë vit, duke paralajmëruar për një ndryshim të strategjisë së bandave në drejtim të sulmeve më të mëdha dhe të organizuara në pjesën veriore të Zamfarës.
Policia e Zamfarës nuk ka dhënë ende asnjë koment mbi këtë incident.
Rrëmbyesit në Nigeri, shpesh të përshkruar si “banditë të armatosur”, kanë shfrytëzuar boshllëqet e sigurisë në zonat rurale të vendit për të realizuar sulme të përsëritura, shpesh me pasoja të rënda për komunitetet e pambrojtura.