Vendosni fjalën kyçe....

27 palestinezë të vrarë në një pikë ushqimore në Gaza, gjashtë të tjerë vdesin nga uria


Të paktën 27 persona janë vrarë të dielën nga forcat izraelite në jug të Rripit të Gazës, ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma ushqimore, sipas autoriteteve palestineze.

Gjashtë të tjerë humbën jetën nga uria apo kequshqyerja, në një ditë të rëndë që shënoi një tjetër përshkallëzim të krizës humanitare në territorin palestinez.

Sipas dëshmitarëve, forcat izraelite qëlluan ndaj turmës së uritur pranë një pike ndihmash të drejtuar nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), e mbështetur nga SHBA.

Nuk mund të ndaloja për t’i ndihmuar, për shkak të plumbave,” tha Yousef Abed për Associated Press, pasi pa të paktën tre persona të gjakosur në tokë, përcjell The Guardian.

Vrasjet e së dielës janë vetëm të fundit në një seri incidentesh të ngjashme që kanë ndodhur që nga 27 maji.

Sipas OKB-së, mbi 1,400 persona janë vrarë ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma, shumica pranë pikave të GHF-së apo përgjatë rrugëve të autokolonave humanitare.

Vetë organizata GHF pretendon se përdor vetëm spraj piperi apo të shtëna paralajmëruese për të menaxhuar turmat.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi se gjithsej 119 persona janë vrarë në 24 orët e fundit nga sulmet izraelite, përfshirë edhe ata që kërkonin ndihma.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi gjithashtu se ushtria izraelite ka sulmuar selinë e saj në Khan Younis, duke vrarë një punonjës dhe plagosur tre të tjerë. Pamjet e publikuara nga një punonjës tregojnë godinën e përfshirë nga flakët pas sulmit.

Po ashtu, një shkollë në të njëjtin qytet, e përdorur si strehë nga civilët, u godit nga një tjetër sulm izraelit, duke lënë të paktën dy të vdekur.

Zyrtarët shëndetësorë thanë se gjashtë persona kanë vdekur nga uria apo kequshqyerja në 24 orët e fundit, duke e çuar në 175 numrin total të të vdekurve nga uria në Gaza, përfshirë 93 fëmijë. Vetëm në korrik janë shënuar më shumë vdekje nga uria sesa në 20 muajt e mëparshëm së bashku.

“Na duhet një hyrje e qëndrueshme dhe e bollshme e ndihmave humanitare në Gaza për një periudhë të gjatë kohore,” deklaroi Hisham Mhanna, zëdhënës i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gaza. Ai shtoi se mungesa e ushqimit, rrëzimi i sistemit shëndetësor dhe përhapja e sëmundjeve po e rëndojnë edhe më tej situatën.

Sipas të dhënave më të fundit, të paktën 60,839 persona janë vrarë në Gaza që nga fillimi i ofensivës ushtarake izraelite pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona.

Ndërkohë që bombardimet në Gaza vazhdojnë, vizita e ministrit të ekstremit të djathtë të sigurisë kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem ka shkaktuar zemërim të gjerë në rajon.

Ben-Gvir ishte ndër rreth 1,250 persona që u ngjitën të dielën në këtë vend të shenjtë nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite.

Vizita e tij shihet si një provokim i rëndë, pasi kompleksi konsiderohet vendi më i shenjtë për hebrenjtë dhe i treti më i shenjtë për myslimanët. Ai ndodhet nën kujdestarinë e Jordanisë dhe, sipas një marrëveshjeje të hershme, hebrenjtë lejohen ta vizitojnë, por jo të kryejnë lutje atje.