Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina zbulon skema korrupsioni me dronë ushtarakë



Autoritetet ukrainase kundër korrupsionit kanë zbuluar një skemë të gjerë korrupsioni që përfshin blerjen e dronëve ushtarakë dhe sistemeve për bllokimin e sinjaleve me çmime të fryra, vetëm dy ditë pasi pavarësia e tyre u rikthye nga parlamenti pas protestave masive, përcjell Reuters.

Agjencitë kundër korrupsionit – Byroja Kombëtare e Anti-Korrupsionit (NABU) dhe Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion (SAPO) – njoftuan në një deklaratë të përbashkët se kishin arrestuar një deputet aktual, dy zyrtarë vendorë dhe disa pjesëtarë të Gardës Kombëtare, të akuzuar për marrje ryshfeti deri në 30% të vlerës së kontratave shtetërore. Emrat e të dyshuarve nuk janë bërë publikë.

Sipas deklaratës, skema funksiononte përmes lidhjes së kontratave me kompani të furnizimit me çmime të fryra qëllimisht, duke krijuar përfitime të paligjshme për të përfshirët.

Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi në rrjetin Telegram duke thënë se duhet të ketë “zero tolerancë ndaj korrupsionit” dhe kërkoi ndëshkim të drejtë për përgjegjësit. Ai shtoi se lufta kundër korrupsionit kërkon “bashkëpunim të qartë” mes institucioneve.

Zelensky u detyrua të tërhiqej politikisht pas përpjekjes për të vendosur NABU dhe SAPO nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm, veprim që shkaktoi protestat më të mëdha në vend që nga fillimi i agresionit rus në vitin 2022.

Pas reagimeve të forta publike dhe ndërkombëtare, presidenti propozoi një projektligj që rivendoste pavarësinë e agjencive anti-korrupsion, i cili u miratua nga parlamenti të enjten.

Vendimi u përshëndet nga zyrtarët evropianë, të cilët kishin paralajmëruar se dobësimi i këtyre agjencive mund të rrezikonte përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Është thelbësore që institucionet kundër korrupsionit të funksionojnë në mënyrë të pavarur. Ligji i miratuar garanton çdo mundësi për një luftë reale kundër korrupsionit,” tha Zelensky pas një takimi me drejtuesit e NABU dhe SAPO që e informuan për hetimin e fundit.