
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka sulmuar ashpër projektin e ri të Kodit Penal, duke e quajtur atë një “fëlliqësirë” të krijuar nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij për të konsoliduar një sistem autoritar të kontrolluar nga ajo që ai e cilëson si “narkoshtet”.
Sipas Vasilit, ky Kod është hartuar në mënyrë tërësisht të mbyllur dhe pa asnjë konsultim me institucionet e drejtësisë në vend dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Europian, Komisionin e Venecias, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë, SPAK-un dhe Dhomën e Avokatisë.
“Rama kërkon që këtë dobiç t’ia lërë në derë të tjerëve si Rakipi, por përgjegjësia është tërësisht e tij,” tha Vasili, duke nënvizuar se qeveria ka gjashtë vite që punon në mënyrë të fshehtë mbi këtë Kod.
Ai shtoi se projekti është i papajtueshëm me standardet e BE-së dhe se synon të përdoret si “alibi ligjore për krimet e qeverisë”. Vasili thekson gjithashtu se BE ka shprehur qartë shqetësimet për ndikimin negativ të ndryshimeve të propozuara ndaj të drejtave të qytetarëve dhe lirisë së medias.
Delegacioni i BE-së në Tiranë, në një reagim zyrtar, ka theksuar se ndryshimet nuk janë përputhje me standardet e unionit dhe ka kërkuar që prioritet të jenë reformat reale, si dekriminalizimi i shpifjes, lufta ndaj trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore, mbrojtja e fëmijëve dhe pastrimi i parave.
Sipas Vasilit, përpjekja e Ramës për të hequr dorë nga përgjegjësia është një dëshmi e qartë e fajit të tij dhe e mungesës së karakterit të një lidershipi që përdor figurat e ulëta politike për qëllime të momentit dhe më pas i flak.