Vendosni fjalën kyçe....

PD kundër aksionit për sigurinë ushqimore: Rama po i jep goditjen finale prodhimit vendas


Partia Demokratike ka reaguar me tone të ashpra ndaj aksionit të fundit të qeverisë për sigurinë ushqimore, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se po i jep “goditjen finale” prodhimit vendas përmes sekuestrimit të produkteve blegtorale e bujqësore që tregtohen pa faturë tatimore.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, e cilësoi aksionin si një veprim represiv dhe të padrejtë, që nuk ka si objektiv sigurinë ushqimore, por mbulimin e dështimeve të qeverisë dhe goditjen e fermerëve të vegjël.

“Pas ultimatumit të Ramës, nisi aksioni për faturimin e detyrueshëm të produkteve ushqimore dhe blegtorale, me pretendimin e gjurmueshmërisë së tyre. Por në fakt, kjo është një goditje për prodhuesit vendas dhe një përpjekje për të fshehur dështimet e qeverisë,” deklaroi Vangjeli.

PD vuri në dukje se aksioni ka përfshirë edhe penalizime ndaj shitësve ambulantë, të cilët sipas ligjit janë të përjashtuar nga detyrimi për të lëshuar fatura tatimore dhe për të mbajtur dokumentacion të tillë.

Sipas të dhënave që citon PD, situata në sektorin blegtoral dhe të peshkimit paraqitet alarmante:

Në vitin 2024, numri i krerëve të bagëtive është ulur me 30% krahasuar me vitin 2014.

Prodhimi blegtoral ka rënë me 20%.

Grumbullimi i qumështit është ulur me 32% krahasuar me vitin 2019.

Peshkimi ka pësuar rënie me 14.9% në krahasim me vitin 2023.

Ndërkohë, importet ushqimore janë rritur me 40% në krahasim me vitin 2020.

“Këto të dhëna tregojnë për një dështim total të politikave të ndjekura nga qeveria Rama, që ka çuar në varfërimin e prodhuesve vendas dhe rritjen e varësisë nga importet,” u shpreh Vangjeli.

PD thekson se siguria ushqimore nuk mund të garantohet vetëm me fatura tatimore, por kërkon analiza shkencore, inspektime fizike dhe monitorim profesional, të cilat sipas saj, shteti i ka braktisur.

“Kur shteti dështon në përmbushjen e detyrave të tij bazike, kthehet në represion ndaj fermerëve që mbjellin edhe rigonin,” tha Vangjeli me ironi.

Në përfundim, ajo akuzoi Ramën se, përmes këtij aksioni, po favorizon importet në dëm të prodhimit vendas dhe se i gjithë veprimi është pjesë e një “shfaqjeje politike për të ruajtur 82 mandatet e fituara nga farsa elektorale”.