
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Maqellarë të Dibrës, ku një 25-vjeçar ka plagosur rëndë nënën e tij me thikë në banesën e tyre.
I riu, me inicialet L.S., i cili kishte përfunduar studimet e larta por ishte ende i papunë, ka goditur me mjet prerës nënën e tij, 48-vjeçaren N.S., drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare në Pocest. E plagosura ka marrë shtatë goditje dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë dhe nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Sipas të dhënave paraprake, i riu dyshohet se vuante nga stres i lartë dhe shenja izolimi të thellë në vetvete, të cilat mund të kenë çuar në këtë shpërthim dhune ndaj nënës. Ngjarja ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe komunitetin e zonës.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbuluar motivet e plota dhe rrethanat që çuan në aktin e rëndë. Autori është shoqëruar nga forcat e rendit për procedurat përkatëse.