
Qendrat e ngritura nga Italia në Shqipëri do të vazhdojnë të funksionojnë si Qendra për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (CPR), konfirmuan burime qeveritare italiane për agjencinë ANSA, pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mbi procedurat për vendet e sigurta origjine.
Që prej prillit, në Gjadër operon një qendër paraburgimi për riatdhesim, ku mbahen migrantët e ndaluar në CPR-të italiane, veçanërisht ata që janë subjekt i procedurave të përshpejtuara kufitare.
Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së u dha të drejtë autoriteteve italiane për të përshpejtuar deportimet e migrantëve që vijnë nga vende të konsideruara “të sigurta”, me kusht që këto përcaktime të bazohen në burime të verifikueshme dhe të qasshme nga aplikuesit dhe gjykatat.
Gjykata theksoi gjithashtu se një vend mund të konsiderohet i sigurt vetëm nëse garanton mbrojtje të përshtatshme për të gjithë popullsinë, përfshirë pakicat. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e shqyrtimit gjyqësor për të lejuar sfidimin ligjor të vendimeve mbi kërkesat për azil.
Ky vendim pritet të forcojë më tej marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e migracionit jashtë kufijve të BE-së.