Vendosni fjalën kyçe....

Partnerët tregtarë të SHBA-së reagojnë ndaj tarifave të reja të Trump


Partnerët tregtarë të SHBA-së kanë reaguar pas urdhrit të ri ekzekutiv të presidentit Donald Trump, i cili parashikon vendosjen e tarifave shtesë ndaj shumë vendeve brenda shtatë ditëve.

Urdhri u njoftua pas një vale aktivitetesh në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë disa marrëveshje me shtete dhe blloqe të ndryshme përpara afatit të 1 gushtit, që ishte caktuar nga vetë Trump. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të zgjasë negociatat me Meksikën për 90 ditë.

Megjithëse disa marrëveshje janë arritur, shumica e vendeve mbeten të pasigurta për ndikimin e tarifave të reja. Bizneset dhe prodhuesit në mbarë botën po përgatiten për rritje kostosh dhe çmimesh.

Ndërkohë, lëvizjet e Trump në politikën tregtare nuk kanë kaluar pa kundërshtime. Gjykata e Apelit në SHBA ka shprehur skepticizëm mbi arsyetimin ligjor që qëndron pas raundit më të fundit të tarifave të vendosura nga presidenti.

Pakistani e ka mirëpritur marrëveshjen e re tregtare me Shtetet e Bashkuara, e cila parashikon vendosjen e një tarife prej 19% për eksportet pakistaneze. Pakistani e cilësoi këtë zhvillim si një hap pozitiv që mund të nxisë tregtinë dhe të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendit.

Tarifa e re është ndjeshëm më e ulët se ajo prej 29% që ishte paralajmëruar fillimisht nga administrata e Presidentit Donald Trump dhe më e favorshme krahasuar me nivelin 25% që aplikohet aktualisht ndaj Indisë.

Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre tha se Norvegjia po vijon bisedimet me SHBA-në me qëllim eliminimin e plotë të tarifave, pas vendimit të Uashingtonit për të vendosur një taksë 15% ndaj eksporteve norvegjeze.

Nga ana tjetër në Ditën Kombëtare të Zvicrës, SHBA vendosi një tarifë prej 39% mbi importet zvicerane, duke rritur normën nga 31% e propozuar më parë nga Trump. Qeveria zvicerane shprehu keqardhje dhe njoftoi se do të vazhdojë përpjekjet për të negociuar një marrëveshje me Uashingtonin.

Trump vendosi tarifë prej 35% mbi importet nga Kanadaja, duke akuzuar vendin për dështim në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Tarifa hyn në fuqi të premten, duke rritur normën nga 25% në 35%. Kanadaja nuk u përfshi në listën e fundit të tarifave të tjera, të cilat do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.

Ministria e Tregtisë e Malajzisë njoftoi se ulja e tarifave amerikane nga 25% në 19% përbën një sukses, duke theksuar se marrëveshja u arrit pa kompromentuar interesat kombëtare. Norma prej 19% është në përputhje me tarifat e vendeve të tjera të Azisë Juglindore

Zëvendëskryeministri i Kamboxhias, Sun Chanthol, falënderoi Presidentin Trump për uljen e tarifës kamboxhiane në 19% dhe njoftoi se vendi do të aplikojë zero tarifa për të gjitha mallrat amerikane.  Kamboxhia vlerësoi ndërhyrjen e Trump në arritjen e armëpushimit me Tajlandën dhe planifikon ta nominojë atë për Çmimin Nobel për Paqe.

Ministri Don Farrell theksoi se tarifa minimale prej 10% nga SHBA për eksportet australiane, përfshirë mishin e viçit, qengjin, verën dhe grurin, u arrit përmes negociatave pa konflikte dhe i jep Australisë një avantazh konkurrues. Ai shtoi se Australia nuk ka vendosur tarifa ndaj mallrave amerikane dhe se sanksionet hakmarrëse nuk janë efektive.

Sekretari i Kabinetit japonez, Yoshimasa Hayashi, përshëndeti nënshkrimin e urdhrit ekzekutiv nga Trump. Ai theksoi nevojën për shqyrtim të mëtejshëm të masave dhe zbatimin e shpejtë të marrëveshjes, duke përfshirë uljen e tarifave për automjetet. Japonia pranoi uljen e tarifës nga 25% në 15%.

Zyrtarët e Zelandës së Re njoftuan se do të lobojnë për uljen e tarifës prej 15% të vendosur nga SHBA për eksportet e tyre, një rritje nga 10% që ishte në prill. Ministri i Tregtisë, Todd McClay, tha se kjo tarifë nuk është e justifikuar dhe se vendi është i goditur më shumë për shkak të bilancit tregtar me SHBA-në. “Nuk mendojmë se kjo është një gjë e mirë. Nuk mendojmë se është e justifikuar”, tha Ministri i Tregtisë Todd McClay.

Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, deklaroi se bisedimet përfundimtare me SHBA-në për tarifat nuk kanë përfunduar ende për shkak të vështirësive në planifikim. Ai shprehu shpresën që tarifa prej 20% të ulet më tej pas raundit të ardhshëm të negociatave. 

Zëdhënësi i qeverisë tajlandeze njoftoi se SHBA-ja pranoi të ulet tarifa për eksportet nga 36% në 19%, duke e barazuar me normat e vendeve të tjera të Azisë Juglindore si Vietnam dhe Filipinet. Kjo marrëveshje konsiderohet një sukses i rëndësishëm për ekonominë e Tajlandës dhe erdhi pak ditë pas armëpushimit mes Tajlandës dhe Kamboxhias, i nxitur nga presioni i SHBA-së për të ndalur konfliktin dhe për të avancuar marrëveshjet tregtare.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e AP

Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha