Vendosni fjalën kyçe....

Kurti konfirmon përgjimet ilegale të zyrtarëve serbë në Bruksel: Qasje sabotuese nga Serbia



Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar ekzistencën e përgjimeve të paligjshme të kryera nga zyrtarë të lartë serbë gjatë takimeve në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ai e cilësoi këtë veprim si një qasje të re dhe të rrezikshme të sabotimit nga ana e Serbisë.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti theksoi se përgjimet ilegale të bisedave me zyrtarë evropianë, të kryera më 17 shtator 2020 nga Igor Popoviq – ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë – përbëjnë një skandal të rëndë diplomatik.

“Audioincizimi ilegal dhe i fshehtë në Bruksel është një rast jashtëzakonisht serioz, që shpërfaq qasjen sistematike, destruktive dhe sabotuese të Serbisë ndaj dialogut dhe ndërmjetësve evropianë,” tha Kurti.

Popoviqi u arrestua më 18 korrik në Kosovë pasi kishte quajtur UÇK-në terroriste, deklaratë që ndezi reagime të ashpra.

Kurti shtoi se Serbia po vijon përpjekjet për destabilizimin e Kosovës, por siguroi se institucionet e sigurisë janë në gadishmëri dhe po reagojnë me efikasitet ndaj këtyre provokimeve.