
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar kundër njoftimit të fundit të kryeministrit kanadez, Mark Carney, për njohjen e një shteti palestinez në muajin shtator. “Nuk më pëlqeu ajo që bëri Kanadaja me njohjen e shtetit palestinez,” u shpreh Trump para gazetarëve, duke shfaqur pakënaqësinë e tij për këtë lëvizje diplomatike, përcjell YNetNews.
Deklarata e Trump vjen pas njoftimit të Carney-t se Kanadaja do të njohë një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me kusht që Autoriteti Palestinez të zbatojë reforma të thella në qeverisje dhe të organizojë zgjedhje të përgjithshme në vitin 2026, në të cilat Hamasi nuk do të lejohet të marrë pjesë.
Megjithatë, Trump sqaroi se qëndrimi i Kanadasë për çështjen palestineze nuk do të ndikojë drejtpërdrejt në marrëveshjet tregtare mes dy vendeve. “Kanadaja duhet të paguajë tarifa të drejta. Qëndrimi i saj për shtetin palestinez nuk është një faktor vendimtar në marrëveshjen tregtare,” theksoi ai.