Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet ruse në Kiev vrasin 12 persona


Të paktën 12 persona, përfshirë një fëmijë gjashtëvjeçar dhe nënën e tij, u vranë dhe mbi 130 të tjerë u plagosën në një valë sulmesh ajrore ruse gjatë natës në disa lagje të Kievit, kanë njoftuar zyrtarët ukrainas të enjten.

Ndër të plagosurit janë edhe 12 fëmijë, numri më i lartë i fëmijëve të plagosur në një natë në kryeqytetin ukrainas që prej fillimit të luftës në shkallë të plotë.

Një bllok apartamentesh u shemb si pasojë e goditjes nga raketat dhe dronët rusë, ndërsa autoritetet konfirmuan se tre nga viktimat ndodheshin pikërisht aty, përcjell BBC.

 Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, deklaroi: “E gjithë hyrja e ndërtesës është shkatërruar. Shpëtimtarët po pastrojnë rrënojat.”

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se 30 persona ndodheshin ende në spital deri në orët e pasdites.

Ai shtoi se një spital fëmijësh dhe një shkollë u dëmtuan nga goditjet në distriktet Shevchenkivskyi dhe Solomyansky.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi 309 dronë dhe tetë raketa lundrimi gjatë natës. Edhe pse një pjesë e tyre u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, shumë të tjera arritën objektivat.

Presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi këtë si një mesazh brutal të Rusisë ndaj përpjekjeve të SHBA-së dhe Europës për paqe: “Bota e pa sërish përgjigjen e Rusisë ndaj dëshirës për paqe. Më shumë vrasje demonstrative. Paqe pa forcë nuk ka.”

Këto ishin sulmet më të mëdha ajrore që kur Presidenti amerikan Donald Trump vendosi një afat deri më 8 gusht për Vladimir Putinin që të pranojë një armëpushim, duke kërcënuar me sanksione të reja.

Përfaqësuesi i përkohshëm i SHBA-së në OKB, John Kelley, deklaroi të enjten: “Si Rusia ashtu edhe Ukraina duhet të negociojnë për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme. Presidenti Trump ka bërë të qartë se kjo duhet të ndodhë deri më 8 gusht.”

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, u shpreh se Trump ka qenë “shumë bujar dhe i duruar” me Putinin, por tani është koha për të ushtruar “presion maksimal ndaj Moskës përmes sanksioneve.”

Ndërkohë, Rusia pretendoi se ka marrë nën kontroll qytetin strategjik të Chasiv Yar në rajonin lindor të Donetskut – pretendim që u mohua nga ushtria ukrainase. Projekti i inteligjencës me burim të hapur DeepState sugjeroi se rusët kishin avancuar në pjesët lindore dhe veriore të qytetit, por luftimet vazhdonin në pjesë të tjera.

Marrja e Chasiv Yar do t’i siguronte forcave ruse një pozicion të favorshëm për të goditur qytetet kryesore të Donbasit si Druzhkivka, Kramatorsk dhe Sloviansk.

Ndërkohë, qyteti i Pokrovsk, rreth 60 kilometra në jugperëndim të Chasiv Yar është përshkruar si pika më e nxehtë e frontit, me analistët të shqetësuar për mundësinë e një rrethimi rus.

Situata në Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet, teksa sulmet ruse rriten dhe afati i vendosur nga Trump afrohet.

Pritet që tensionet diplomatike dhe ushtarake të shtohen në ditët në vijim në mungesë të një marrëveshjeje për armëpushim.