Vendosni fjalën kyçe....

Dumani, Çela e Sadushi kritika draftit të qeverisë për Kodin e ri Penal, kreu i SPAK-ut: Duhen ndryshime, s’jemi përfshirë


Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, i është bashkuar kritikave lidhur me hartimin e draftit të Kodit të ri Penal. Ai nënvizoi se drafti ka nevojë për ndryshime ndërsa pohoi se SPAK nuk është përfshirë në hartimin e draftit dhe se do mbajë qëndrim zyrtar pasi të njihet me përmbajtjen e plotë.

“Për debatin e Kodit të ri Penal, ka një rendësi jetike për shtetin ligjor, priten diskutime është normale. Debati i parë duhet të ishte bërë, a ishte i nevojshëm Kodi i Ri apo te punohej mbi kodin aktual. Unë vetë besoj që ka nevoje për ndryshime, për shembull neni për narkotiket, të ndahet sipas sasisë dhe llojit të drogës. është një draft, ne se kemi marrë zyrtarisht, nuk jemi përfshirë në hartimin e tij, kur të na vijë do e analizojmë dhe do mbajmë një qëndrim”, tha Dumani.

Më herët Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela kritikoi draftin për Kodin e ri Penal të përgatitur nga qeveria. Ai tha se institucioni i tij nuk ishte përfshirë dhe konsultuar për hartimin e tij ndërsa theksoi “se në formën që është përfaqëson vetëm një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend.” – pohoi Çela dy ditë më parë, pasi mungoi në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për Kodin e ri Penal.

Sipas kryeprokurorit, përmbajtja dhe zgjidhjet e ofruara nga drafti I ri do sjellë shumë konfuzion mes magjistratëve.

“Nga produkti i sjellë për diskutim, unë vlerësoj se ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme. Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve. – shtoi ai.

Kritika ndaj draftit ka pasur edhe kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi. Ai tha pak ditë më parë se nuk kodi duhet të ketë përkufizime të qarta dhe të ofrojë drejtësi më të mirë, më humane e më të ndershme.

“Ky Kod nuk është një trofe. Është një angazhim; është një premtim, që u bëjmë qytetarëve për një drejtësi më të mirë, më humane dhe më të ndershme.” – tha ai.

Sadushi shtroi një sërë pyetjesh thelbësore mbi strukturën dhe përmbajtjen e Kodit të Ri. Sipas tij, kodi i ri duhet të shmangë: “përkufizimet e paqarta dhe të vjetëruara, mbivendosjen e dispozitave për shkak të amendimeve të shpeshta, mbingarkesën me ndëshkime me burg, duke mos lënë hapësirë për alternativa moderne dhe humane, kriminalizimin e tepruar të sjelljeve që nuk përbëjnë rrezik real, mospërputhjen e dënimeve me natyrën e veprës penale.”

Gjithashtu, ai theksoi se kodi duhet të ndërtohet si një mjet për orientim, parandalim dhe edukim, jo si një instrument ndëshkues i frikshëm.

“Të mos harrojmë se ligji penal nuk është thjesht për juristët. Ai është për shoqërinë dhe nëse nuk kuptohet, ka gjasa të mos respektohet, por nëse nuk zbatohet drejt, nuk bëhet as drejtësi.” – nënvizoi ai.

Kritika të forta ndaj draftit të qeverisë ka pasur edhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.

Manjani deklaroi dy ditë më parë se drafti i ri është jo vetëm i padrejtë po shumë i rrezikshëm për qytetarët. Sipas tij, Kodi i ri Penal nëse miratohet në formën e tanishme, mund të çojë në sekuestrimin e poronës së qytetarëve pa prova konkrete.

Ngatërresa e poshtër, fashiste e të drejtës civilie me të drejtën penale, është një gjë që duhet neveritur. Ka një nen atje që është përsëritur disa herë, që thotë “pasurimi i paligjshëm i kujtdo, të ndalon polici në rrugë dhe të thotë këtë xhaketën ku e ke blerë se nuk ma mbush mendjen ti mua. Skandal! Ju thashë pak më parë, duhet mbrojtur pasuria, ky është qëllimi. Nuk mundet kodi penal të jetë arma e grabitjes së pronës. Është e tmerrshme. Kjo është normale vetëm për shoqëritë bolshevike, kjo është majmunizëm nuk është logjikë. Aktualisht kjo bëhet me ligjin antimafia vetëm për persona që indicie që ka vepër penale, kjo është tjetër gjë. Në kodin e ri është për çdo qytetar. Nuk ka sot shqiptar që me standardet e vetingut që ka shpikur reforma të justifikojë pasurinë. Nëse qëllimi është që të vëmë një stekë si t’u marrim pronat shqiptarëve, kjo është steka”, tha Manjani.