
Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar një njoftim të posaçëm për të gjithë qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin nga afër ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit FIFA 2026, i cili do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Në postimin e saj në rrjetet sociale, ambasada thekson se Botërori i vitit 2026 do të jetë më i madhi ndonjëherë, me ndeshje që do të zhvillohen në 11 qytete të SHBA-së.
Për këtë arsye, u bën thirrje të gjithë atyre që kanë nevojë për vizë amerikane të mos vonojnë aplikimin.
“Ne nxisim të gjithë udhëtarët e huaj që kanë nevojë për vizë amerikane të aplikojnë TANI!”, thuhet në njoftim.
Ambasada i udhëzon qytetarët që të vizitojnë faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit në travel.state.gov dhe të ndjekin seksionin “U.S. Visas” për të mësuar më shumë mbi kërkesat për vizë.
“MOS PRISNI!”, përfundon thirrja e ambasadës për të gjithë të apasionuarit pas futbollit që duan të jenë pjesë e këtij eventi historik në SHBA.