Vendosni fjalën kyçe....

Tërmet i fuqishëm 8.8 ballë godet Japoninë, lëshohen alarme për cunami


Një tërmet i fuqishëm goditi Japoninë në orën 08:25 (me orën lokale), me një magnitudë fillestare prej 8.0 ballësh, e cila më pas u përditësua nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së në 8.8 ballë. Ky është një ndër tërmetet më të fuqishëm të regjistruar globalisht që nga ai i marsit 2011 në verilindje të Japonisë, i cili shkaktoi një cunami shkatërrues dhe aksidentin në centralin bërthamor Fukushima.

Autoritetet në Filipine kanë paralajmëruar qytetet dhe provincat përgjatë bregdetit lindor për rrezikun e valëve cunami deri në 1 metër, që pritet të godasin midis orës 13:20 dhe 14:40 me orën lokale. Banorët janë këshilluar të qëndrojnë larg vijës bregdetare, pasi valët mund të jenë të vazhdueshme dhe të rrezikshme për këdo që ndodhet në ujë.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka konfirmuar se një valë cunami prej 30 cm ka mbërritur në qytetin Nemuro në bregun lindor të Hokkaidos. Gjithashtu, vala e parë është ndjerë edhe në Severo-Kurilsk, një vendbanim në Ishujt Kuril të Rusisë, ku banorët janë evakuuar në zona të sigurta në pritje të stabilizimit të situatës.

Centralet bërthamore përgjatë bregdetit japonez janë vendosur në gjendje alarmi. Janë pezulluar përkohësisht aktivitetet dhe është ndërprerë gjithashtu edhe lëshimi i ujërave të trajtuara radioaktive në det, si masë parandaluese. Në centralin Fukushima Daiichi, rreth 4,000 punonjës janë strehuar në zona të sigurta brenda kompleksit, ndërsa kontrolli i sigurisë vazhdon nga distanca./AP