
Pas ditësh të vështira me zjarre në disa zona të vendit, situata më në fund është përmirësuar. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se falë reshjeve të shiut që kanë përfshirë pjesën më të madhe të territorit, zjarret janë shuar pothuajse plotësisht.
Aktualisht, mbetet aktive vetëm një vatër në fshatin Spatharë të njësisë administrative Vëndreshë, në bashkinë e Skraparit.
Disa nga zonat më të prekura ishin Klosi, Mati, Dibra dhe Bulqiza, ku janë djegur qindra hektarë pyje e kullota.
Njoftimi:
Ministria e Mbrojtjes njofton se situata nga zjarret në territorin e Shqipërisë është përmirësuar ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit, falë reshjeve të shiut që kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit.
Aktualisht, vetëm një vatër zjarri mbetet aktive në fshatin Spatharë, njësia administrative Vëndreshë, bashkia Skrapar, ndërsa të gjitha vatrat e tjera janë shuar.
Zjarret e shuara dhe dëmet përkatëse:
Plan i Bardhë & Mali i Allushit, Klos: u dogjën 120 ha, ndërsa 350 ha të tjera u përfshinë nga flakët.
Zall Gjoçaj, Derjan, Mat: 20 ha të djegura, 499 ha të përshkuara.
Gur i Bardhë, Xibër, Klos: zjarri tashmë i shuar.
Gurë-Lurë, Lurë, Dibër: 55 ha të djegura, 580 ha të përshkuara.
Qafa e Buallit, Bulqizë: 22 ha të djegura, 35 ha të përshkuara, pavarësisht ndërhyrjes tokësore dhe nga ajri me helikopter.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçë, si dhe reshje të shpërndara në qarqet e tjera.