
Organizata “Drejtësi Sociale” ka ngritur një thirrje publike për ndërhyrje urgjente, duke paralajmëruar se Shqipëria rrezikon të kthehet në një vatër të trafikimit të vajzave dhe grave të huaja, përmes mashtrimit me premtimin për vende pune.
Sipas organizatës, rastet po shtohen me ritme alarmante dhe kontratat e punësimit po përdoren si fasadë për shfrytëzim seksual dhe trafikim.
Ata sjellin në vëmendje rastin e një vajze të huaj, e cila kishte ardhur në Shqipëri me një kontratë pune, por përfundoi e trafikuar dhe më pas u dënua si e dyshuar për prostitucion.
Pas daljes nga burgu, ajo ndodhet e pastrehë, pa dokumente dhe pa mundësi për t’u kthyer në vendin e saj.
Organizata thotë se po e ndihmon me strehim të përkohshëm dhe po përpiqet t’i rikthejë dokumentet, por thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por simptomë e një sistemi të dështuar.
“Institucionet ndëshkojnë viktimën në vend që të godasin rrjetet e trafikimit. Mungon një strukturë efikase për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave të prekura,” thuhet në deklaratën e organizatës.
“Drejtësi Sociale” i bën thirrje autoriteteve që të hetojnë agjencitë e dyshimta të punësimit, të ndalin penalizimin e viktimave dhe të krijojnë mekanizma të posaçëm për strehim, ndihmë ligjore dhe sociale.
Sipas tyre, shoqëria civile nuk mund të mbetet e vetme në këtë betejë.
“Çdo jetë e humbur në rrjetet e trafikimit është një dështim kolektiv i shoqërisë sonë”, përfundon deklarata, duke kërkuar solidaritet dhe ndërhyrje të menjëhershme edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe qytetarët.
Postimi:
KËRKESË URGJENTE PËR REAGIM: Shqipëria rrezikon të kthehet në një vatër të trafikimit të vajzave dhe grave të huaja, përmes mashtrimit për vende pune!
Shqipëria po përballet me një krizë të thellë që shkon përtej retorikës politike për vende pune dhe zhvillim ekonomik. Premtimet për punësim po përdoren si një mekanizëm mashtrimi dhe shfrytëzimi për vajza dhe gra nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer vendin tonë në një pikë hyrjeje dhe transit për trafikimin e qenieve njerëzore. Organizata “Drejtësi Sociale” shpreh shqetësimin e saj të thellë për rritjen alarmante të rasteve ku kontratat e punësimit përdoren si fasadë për aktivitete kriminale, kryesisht për prostitucion të detyruar.
Aktivistët e Drejtësisë Sociale ditën e shtunë ranë në kontakt me një vajzë të huaj e cila mbërriti në Shqipëri me premtimin për një punë të ligjshme, por përfundoi e shfrytëzuar për qëllime seksuale dhe më pas u ndalua nga policia si e dyshuar për “prostitucion”, ku më pas ajo kreu edhe dënimin për këtë vepër penale. E liruar tashmë nga burgu, por pa marrë dokementet e dhe sendet e tjera që kishte ajo ndodhet në një gjendje të rënduar, pa strehë, pa pasaportë dhe pa mundësi për t’u larguar nga Shqipëria. Ne kemi ndërhyrë për t’i siguruar një vend strehimi të përkohshëm dhe po asistojmë që asaj ti kthehen sa më shpejt dokumentet në mënyrë që të kthehet në vendlindje pasi ajo është dëshira e saj, ndërkohë që kërkojmë mbështetje dhe solidaritet për të siguruar edhe ndihmën psiko-sociale dhe ekonomike që i nevojitet.
Ky rast nuk është i vetmi. Ai është një simptomë e një sistemi të dështuar, ku shteti nuk arrin të kontrollojë dhe monitorojë agjencitë e punësimit, ku institucionet ndëshkojnë viktimën në vend që të godasin rrjetet e trafikimit, dhe ku mungon një strukturë efektive për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe vajzave të prekura. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të veprojnë menjëherë për të hetuar këto agjenci dhe për të ndalur penalizimin e viktimave të trafikimit. Po ashtu, kërkojmë krijimin e një mekanizmi të posaçëm për strehim, ndihmë ligjore dhe sociale për gratë që ndodhen në këto situata ekstreme. Shoqëria civile nuk mund të jetë e vetmja strukturë mbrojtjeje për to. Heshtja dhe neglizhenca institucionale janë bashkëfajtore në këtë dramë.
Organizata “Drejtësi Sociale” është e vendosur të qëndrojë krah këtyre vajzave dhe grave, dhe u bën thirrje të gjitha organizatave, aktivistëve, qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë, të mbështesin dhe të ndihmojnë. Sepse çdo jetë e humbur në rrjetet e trafikimit është një dështim kolektiv i shoqërisë sonë.