Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri i Skërficës rrezikon territorin e Gjirokastrës, forcat zjarrfikëse në terren për izolimin e flakëve


Rreth orës 05:00 të mëngjesit, zjarrfikësit e Gjirokastrës, së bashku me 15 punonjës të bashkisë, ndërhynë për të izoluar një zjarr të fuqishëm në malin e Skërficës, që po përhapej nga Delvina drejt Gjirokastrës. Terreni i vështirë kërkon koordinim për të mbrojtur zonat e banuara dhe pyjet.

Ndërkohë, situata në vargmalin Fushë-Bardhë–Zhulat është nën kontroll, me disa trungje ende në djegie në Zhulat, pa rrezik për përhapje. MZSH vijon monitorimin dhe apelon për bashkëpunim nga qytetarët.

Njoftimi:

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 05:00, trupa e shërbimit zjarrfikës të Gjirokastrës, në bashkëpunim me forcat mbështetëse të Bashkisë Gjirokastër, ka ndërhyrë në malin e Skërficës për të izoluar përhapjen e një zjarri të fuqishëm që po avancon nga territori i Delvinës drejt Gjirokastrës.

Në këtë operacion janë angazhuar:

6 punonjës të MZSH Gjirokastër
15 punonjës të shërbimeve publike të bashkisë

Terreni është i vështirë dhe kërkon koordinim të lartë për të parandaluar kalimin e flakëve në zonat e banuara apo me interes pyjor.

 

 

Ndërkohë, autoritetet njoftojnë se situata në vargmalin Fushë-Bardhë – Zhulat, ku një ditë më parë ishin aktive disa vatra zjarri, është nën kontroll të plotë.
Zjarri është shuar plotësisht, ndërsa në fshatin Zhulat vijon djegia e disa trungjeve të mëdha, por pa rrezik për përhapje. Këto pjesë po monitorohen nga shërbimi zjarrfikës, për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.

MZSH Gjirokastër mbetet në gatishmëri të lartë, ndërsa apelohet për bashkëpunim nga banorët lokalë për të raportuar çdo sinjal zjarri dhe për të shmangur veprimet që mund të çojnë në rindezje të flakëve.