
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se në Rripin e Gazës po ndodh një “uri e vërtetë”, ndërsa njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të krijojnë qendra ushqimore për të ndihmuar popullsinë civile.
Duke folur gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar, Trump theksoi se Uashingtoni ka gjithashtu plane alternative nëse Hamas nuk liron pengjet izraelite që mbeten ende të kapura.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së kontrolluar nga Hamas në Gaza, vetëm në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 14 persona si pasojë e kequshqyerjes, përcjell BBC.
Vdekjet ndodhin në një kohë kur Izraeli ka vendosur të pezullojë përkohësisht operacionet ushtarake në disa zona të Gazës për nga 10 orë çdo ditë, për të mundësuar më shumë akses për ndihmat humanitare.
Ndërkohë, Izraeli ka lejuar gjithashtu hedhjen e ndihmave nga ajri. Por sipas korrespondentit të BBC-së, Jeremy Bowen, i cili raporton nga një avion jordanez, sasitë e ndihmave që mbërrijnë në këtë mënyrë janë minimale dhe nuk bëjnë ndryshim domethënës në terren.
Në një zhvillim paralel, dy organizata kryesore për të drejtat e njeriut në Izrael kanë akuzuar shtetin izraelit për gjenocid në Gaza – një akuzë që autoritetet izraelite e kanë mohuar vazhdimisht.