Vendosni fjalën kyçe....

Trump i jep Rusisë “10 deri 12 ditë” afat për marrëveshje paqeje në Ukrainë


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rritur ndjeshëm presionin ndaj Rusisë për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë, duke i dhënë Moskës një afat të ri prej vetëm “10 ose 12 ditësh”, nëse nuk do të ketë përparim konkret në negociata.

Gjatë një deklarate për shtyp krah kryeministrit britanik Keir Starmer në Skoci, Trump tha se ishte “shumë i zhgënjyer” nga presidenti rus Vladimir Putin dhe vendosi të shkurtojë ndjeshëm afatin fillestar prej 50 ditësh që kishte lënë më herët për një marrëveshje, sipas The Guardian.

“Do të vendos një afat të ri, diku te 10, 10 ose 12 ditë që nga sot. Nuk ka arsye për të pritur më gjatë. Fillimisht ishte 50 ditë sepse doja të isha bujar, por nuk po shohim asnjë përparim,” tha Trump.

Komentet e presidentit amerikan vijnë mes tensioneve në rritje dhe pas dështimeve të fundit në bisedimet për armëpushim.

Paralajmërimi i ri u interpretua nga analistët si një përpjekje për të detyruar Moskën të lëvizë drejt një kompromisi, në të kundërt, SHBA mund të ndërmarrë masa të mëtejshme ndëshkuese, përfshirë vendosjen e tarifave dytësore apo të tjera sanksione ekonomike.

Në të njëjtën konferencë, Trump përmendi se është “i vendosur të arrijë paqen” dhe shtoi: “Putin duhet të bëjë një marrëveshje.”

Këto deklarata vijnë në një kohë kur BE-ja dhe SHBA kanë nënshkruar një marrëveshje të re tregtare që, ndonëse sjell stabilitet, ka ngjallur reagime të përziera në Europë, ndërkohë që lufta në Ukrainë vijon të përshkallëzohet.