
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që mbështet universitetet dhe sipërmarrjen e re.
Gjatë vizitës, ai ndoqi prezantimin e një start-up-i të krijuar nga të rinj shqiptarë, i cili synon të sjellë risi në financimin e sektorit të ndërtimit.
Në fjalën e tij, Rama paralajmëroi masa të reja për kontrollin e kantierëve të ndërtimit, përmes teknologjisë së inteligjencës artificiale (AI), duke përfshirë kamera monitorimi 24 orëshe, dronë dhe satelitë.
“Kantieret e ndërtimit do të kenë kamera dhe do të monitorohen 24 orë. Kjo do t’ju ndihmojë në ndjekjen e punës dhe është shumë e vlefshme në lidhje me sigurinë dhe zbatimin e projektit. Përmes një programi monitorimi me AI mund të ndiqet kantieri nga larg dhe të shikohet korrektësia e punës në raport me projektin, jo vetëm me perimetrin,” deklaroi Kryeministri.
Ai theksoi se po përfundon ndërtimi i një qendre të posaçme monitorimi që do të përdorë dronë dhe satelitë për të ndjekur ndryshimet në territor në kohë reale.
Gjithashtu, Rama njoftoi një masë të re detyruese për kompanitë e mëdha: “Do ta vendosim fillimisht të detyrueshme për kompanitë me mbi 100 punonjës që të kenë një departament të informacionit që të merret me pjesën e teknologjisë. Kjo do të na përgatisë për atë që na pret pas integrimit në BE sa i përket biznesit privat.”
Ai paralajmëroi se konkurrenca në tregun e BE-së do të jetë e fortë, duke u kërkuar bizneseve shqiptare të informohen dhe të përgatiten për sfidat e ardhshme.