Vendosni fjalën kyçe....

Franca dhe Arabia Saudite hapin konferencë në OKB për njohjen e shtetit palestinez



Franca dhe Arabia Saudite kanë hapur një konferencë treditore në selinë e Kombeve të Bashkuara, me synimin për të shtyrë përpara njohjen zyrtare të shtetit palestinez si pjesë e një zgjidhjeje paqësore për t’i dhënë fund luftës në Gaza, përcjell Guardian.

Konferenca nisi të hënën, vetëm pak ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se Parisi do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez në shtator, si përpjekje për të rifilluar bisedimet e paqes në kuadër të zgjidhjes me dy shtete – një proces që është zbehur pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit dhe ofensivës së mëvonshme izraelite në vitin 2023.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha se konferenca do të shërbejë gjithashtu si platformë për vendet evropiane që ende nuk e kanë njohur Palestinën, për të ndërmarrë hapin drejt njohjes.

Ndër vendet që përfliten për një hap të tillë është edhe Mbretëria e Bashkuar, ku kryeministri Keir Starmer po përballet me presion të shtuar nga deputetë të Partisë Laburiste për të ushtruar ndikim mbi Izraelin që të ndalojë luftën në Gaza. Mbi 220 deputetë britanikë i dërguan një letër Starmerit, duke kërkuar që qeveria të vendosë një afat për njohjen e shtetit palestinez.

“Nuk ka alternativë përveç një zgjidhjeje politike me dy shtete, e cila mund të plotësojë aspiratat legjitime të izraelitëve dhe palestinezëve për paqe dhe siguri,” tha Barrot gjatë hapjes së konferencës.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm saudit, princ Faisal bin Farhan Al Saud, njoftoi se Arabia Saudite po kërkon miratimin e Bankës Botërore për të transferuar 300 milionë dollarë për Gazën dhe Bregun Perëndimor, si pjesë e përpjekjeve për të përballuar krizën humanitare.

Ai theksoi se palestinezët kanë “të drejtë legjitime për një shtet të pavarur sipas kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet,” duke shtuar se kjo nuk është thjesht një qëndrim politik, por një bindje e thellë se vetëm një shtet i pavarur palestinez mund të sjellë paqe në rajon.

Konferenca bashkëkryesohet nga 16 vende dhe përfaqësi të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën dhe Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, Starmer pritet të rikthejë kabinetin nga pushimet për një mbledhje urgjente mbi krizën në Gaza. Burime nga qeveria britanike kanë thënë se njohja e Palestinës është “çështje kohe, jo nëse do të ndodhë”.

Starmer u takua të hënën edhe me presidentin amerikan Donald Trump në Turnberry, Skoci, ku diskutuan mbi tregtinë dhe krizën humanitare në Gaza. Starmer theksoi nevojën për të ushtruar presion ndaj Izraelit për lehtësimin e ndihmave dhe ndaljen e urisë që po përhapet në territorin palestinez.

Dy organizata kryesore të të drejtave të njeriut në Izrael, B’Tselem dhe Physicians for Human Rights, kanë deklaruar se veprimet e Izraelit në Gaza përbëjnë gjenocid dhe se aleatët perëndimorë kanë detyrim ligjor dhe moral për ta ndaluar.

Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dënoi vendimin e Macron për njohjen e shtetit palestinez, duke e cilësuar si “shpërblim për terrorizmin” dhe paralajmëroi se një shtet palestinez do të ishte “një platformë për shkatërrimin e Izraelit”.

Edhe ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, e kritikoi konferencën, duke thënë se “ajo nuk promovon zgjidhjen, por thellon iluzionin. Në vend që të kërkohet lirimi i pengjeve dhe çmontimi i terrorit të Hamasit, organizatorët po merren me diskutime të shkëputura nga realiteti.”