
BE-ja ka rënë dakord për një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare me SHBA-në, sipas së cilës shumica e eksporteve të saj në Amerikë do përballen me një tarifë bazë prej 15%, duke shmangur atë që të dyja palët kishin paralajmëruar se mund të ishte një luftë tregtare shkatërruese transatlantike.
Marrëveshja u përmbyll të dielën gjatë një takimi midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në resortin e golfit “Turnberry” të Trump në Skoci. Të dy udhëheqësit e përshëndetën paktin si një përparim “të fuqishëm” dhe “stabilizues” pas muajsh tensionesh në rritje.
“Kemi një marrëveshje”, u tha von der Leyen gazetarëve pas bisedimeve 40-minutëshe.
“Ajo sjell stabilitet dhe parashikueshmëri.”
Trump e quajti rezultatin “më të madhin nga të gjitha marrëveshjet”, duke thënë: “Zgjidh shumë gjëra. Ishte një vendim i shkëlqyer.”
Marrëveshja vendos një tarifë prej 15% për mallrat e BE-së që hyjnë në SHBA, duke përfshirë automobilat, prodhimet farmaceutike dhe gjysmëpërçuesit – sektorë që më parë kërcënoheshin me tarifa më të larta deri në 30% ose 50%. Makinat e prodhuara në BE ishin përballur me një tarifë prej 25%, me produktet e çelikut dhe aluminit që i nënshtroheshin tarifave deri në 50%. Marrëveshja e re i zëvendëson këto tarifa me një bazë uniforme prej 15%, shkruan RT.
Von der Leyen sqaroi se norma prej 15% ishte “gjithëpërfshirëse”, megjithëse Trump sugjeroi që prodhimet farmaceutike mund t’i nënshtrohen një shqyrtimi të veçantë.
“Ne duhet t’i prodhojmë ato në Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke theksuar nevojën për të shmangur varësinë nga furnizuesit e huaj.
Si pjesë e marrëveshjes, BE-ja u zotua gjithashtu të blinte 750 miliardë dollarë në eksportet e energjisë amerikane dhe të investonte 600 miliardë dollarë të tjerë në ekonominë amerikane. Trump tha se BE-ja do blinte “pajisje ushtarake me vlerë qindra miliardë dollarë”. Presidenti nuk dha hollësi mbi afatin kohor për këto blerje dhe investime.
Negociatat kishin zgjatur për katër muaj, me BE-në që përgatitej të hakmerrej me tarifa prej 30% për mallra amerikane me vlerë 100 miliardë dollarë nëse bisedimet do dështonin.
https://rurtnews.com/news/622064-trump-eu-tariffs-deal-15/