Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret në Zhulat dhe Fushëbardhë, pritet ndërhyrja nga ajri teksa zjarrfikësit përballen me terren të vështirë


Zjarret në qarkun e Gjirokastrës vijojnë të shkaktojnë shqetësim, ndërsa forcat zjarrfikëse po përballen me sfida të mëdha për të menaxhuar situatën në terren të vështirë dhe në zona të mbrojtura.

Në fshatin Zhulat, zjarri ka përfshirë një zonë pyjore të mbrojtur. Trupat e MZSH Gjirokastër kanë ndërhyrë për izolimin e vatrave, por janë penguar nga largësia dhe thepisja e terrenit.

Sipas autoriteteve, të gjitha vatrat e arritshme janë izoluar, ndërsa disa zona mbeten ende aktive për shkak të pamundësisë për të ndërhyrë nga toka.

Ndërhyrja nga ajri konsiderohet e domosdoshme për shuarjen e plotë të flakëve. Në mungesë të aksesit tokësor, zjarrfikësit dhe forcat mbështetëse janë tërhequr përkohësisht, duke mbetur në gatishmëri për çdo përkeqësim të situatës.

Ndërkohë, në fshatin Fushëbardhë, përpjekjet kanë rezultuar më efektive.

Nga ora 04:00 deri në 17:10 të pasdites së sotme, vatrat e zjarrit janë izoluar plotësisht, duke parandaluar përhapjen drejt zonave të banuara apo me rrezik të lartë. Autoritetet lokale vijojnë të monitorojnë situatën nga afër.