
Izraeli tha të dielën se do ndalojë operacionet ushtarake çdo ditë për 10 orë në disa pjesë të Gazës dhe do lejojë korridore të reja ndihme në enklavën e shkatërruar, ku pamjet e palestinezëve të uritur kanë alarmuar botën.
Veprimtaria ushtarake do ndalet nga ora 10:00 deri në orën 20:00 deri në njoftim të mëtejshëm në Al-Mawasi, një zonë e caktuar humanitare që shtrihet përgjatë bregdetit, në Deir al-Balah m=në qendër dhe në qytetin e Gazës, në veri, shkruan Reuters.
Ushtria tha se rrugët e sigurta të përcaktuara për karvanet që shpërndajnë ushqim dhe ilaçe do jenë gjithashtu të çelura midis orës 6 të mëngjesit dhe 11 të mbrëmjes duke filluar nga e diela.
Shefi i ndihmës së OKB-së, Tom Fletcher, tha se stafi do shtojë përpjekjet për të ushqyer të uriturit gjatë pushimeve në zonat e përcaktuara.
“Ekipet tona në terren do bëjnë gjithçka që mundemi për të arritur sa më shumë njerëz të uritur që të jetë e mundur në këtë dritare,” tha ai në një postim në X.
Dhjetëra banorë të Gazës kanë vdekur nga kequshqyerja në javët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës në enklavën e drejtuar nga Hamasi. Një total prej 127 personash kanë vdekur për shkak të kequshqyerjes, përfshirë 85 fëmijë, që nga fillimi i luftës, tha ministria.
Të shtunën, një foshnjë pesëmuajshe, Zainab Abu Haleeb, vdiq nga kequshqyerja e rëndë akute në Spitalin Nasser në Khan Younis, thanë punonjësit e shëndetësisë.
Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane tha të dielën se po dërgonte më shumë se 100 kamionë që transportonin mbi 1,200 ton ndihma ushqimore në Gazën jugore përmes pikës kalimtare Kerem Shalom.
Orë më parë, Izraeli filloi dërgimin e ndihmave nga ajri në atë që e quajti një përpjekje për të lehtësuar kushtet humanitare në enklavë.
Grupet e ndihmës thanë javën e kaluar se kishte uri masive midis 2.2 milionë banorëve të Gazës dhe alarmi ndërkombëtar për situatën humanitare në Gaza është rritur, duke nxitur vendimin e Presidentit Francez Emmanuel Macron për të njohur një shtet palestinez në shtator.