
Disa persona kanë humbur jetën dhe të paktën tre të tjerë janë plagosur pas daljes nga shinat të një treni pasagjerësh në jugperëndim të Gjermanisë, kanë raportuar mediat gjermane duke cituar burime policore.
Sipas operatorit hekurudhor Deutsche Bahn, aksidenti ndodhi “për arsye ende të panjohura” pranë qytetit Riedlingen, afër Stuttgart-it.
Mediat vendase raportojnë se pak para incidentit zona ishte përfshirë nga një stuhi, përcjell BBC.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, treni kishte rreth 100 pasagjerë në bord kur të paktën dy vagonë dolën nga shinat në një zonë të pyllëzuar, rreth orës 18:10 me orën lokale.
Kancelari gjerman Friedrich Merz reagoi përmes një postimi në platformën X, duke thënë: “I vajtoj viktimat dhe shpreh ngushëllimet më të thella për familjet e tyre.”
Ai shtoi se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrat e Brendshëm dhe të Transportit dhe ka kërkuar që shërbimet emergjente të marrin çdo mbështetje të nevojshme.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë vagonë të përmbysur dhe një numër të madh forcash të emergjencës në terren.
Në vendin e aksidentit duken edhe pemë të rrëzuara.
Deutsche Bahn bëri të ditur se treni ishte në një linjë 90 km të gjatë midis qyteteve Sigmaringen dhe Ulm kur ndodhi aksidenti.
“Situata e saktë mbetet ende e paqartë,” njoftoi kompania në X. “Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me viktimat dhe me të gjithë ata që tani duhet të përballen me këtë përvojë.”