
Një 47-vjeçar i dyshuar për dhjetëra vjedhje në Tiranë është arrestuar nga policia. Në pranga ka rënë Skerdilaid Godo, i dënuar më parë për vjedhje, i cili akuzohet se vidhte portofola, celularë e shuma parash në stacione autobusësh e biznese.
Gjatë kontrollit atij i janë gjetur 600 mijë lekë të reja, 8200 euro dhe një portofol. Ndaj 51-vjeçarit me iniciale Sh.P. ka nisur procedimi penal pasi në dyqan iu gjet një celular i vjedhur të cilin do e shiste.
Njoftimi
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Tracking”.
Vidhte portofola, celularë, shuma parash, në stacionet e autobusëve dhe në biznese, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 47-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Dokumentohen 5 vjedhje të kësaj natyre, të kryera nga ky shtetas, gjatë muajve të fundit. Sekuestohen rreth 600 000 lekë, 8200 euro dhe 1 portofol i vjedhur. Shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 6, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimeve të qytetarëve të ndryshëm, për disa raste të vjedhjes kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tracking” si rezultat u kap dhe u vu në pranga shtetasi S. G., 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 47-vjeçari iu vidhte shtetasve të ndryshëm, celularët, portofolat në stacionet e autobusëve dhe shuma parash në biznese të ndryshme.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. P., 51 vjeç, pasi në dyqanin e tij u gjet një aparat celular i vjedhur nga 47-vjeçari.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jetë i implikuar ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”