
Kamboxhia ka kërkuar një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte me Tajlandën, pas përplasjeve të dhunshme në kufirin mes dy vendeve, ku kanë humbur jetën të paktën 32 persona, përfshirë edhe civilë. Konflikti i përshkallëzuar ka zhvendosur gati 200 mijë njerëz në të dy vendet, përcjell BBC.
Ambasadori kamboxhian në OKB, Chhea Keo, deklaroi se vendi i tij kërkon një “zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes” dhe theksoi se kërkesa për armëpushim është bërë “pa kushte”. Ndërkohë, ministri i jashtëm tajlandez, Maris Sangiampongsa, tha se Kamboxhia duhet të tregojë “sinqeritet të vërtetë për t’i dhënë fund konfliktit” që të nisin negociatat për armëpushim.
Luftimet kanë hyrë në ditën e tretë dhe janë përhapur në zona të reja. Ushtria tajlandeze njoftoi se forcat kamboxhiane kanë sulmuar pranë bregdetit në jug të vendit, por janë zmbrapsur nga marina. Më herët janë raportuar përplasje të ashpra në provincat tajlandeze Surin, Ubon Ratchathani dhe Sisaket, në afërsi të kufirit me Kamboxhian.
Autoritetet tajlandeze kanë shpallur ligjin ushtarak në tetë distrikte përgjatë kufirit me Kamboxhian, ndërsa tensionet mbeten të larta dhe të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e dhunës që nga e enjtja.