Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtarë sirianë dhe izraelitë zhvillojnë bisedime në Paris për të ulur tensionet në Siri


 

Zyrtarë të lartë sirianë dhe izraelitë janë takuar në Paris të enjten në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim uljen e tensioneve në Siri. Lajmin e bëri të ditur i dërguari amerikan Tom Barrack.

“Qëllimi ynë ishte dialogu dhe de-përshkallëzimi, dhe e arritëm pikërisht këtë,” tha Barrack në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X.

Ai shtoi gjithashtu se “të gjitha palët riafirmuan angazhimin për të vijuar këto përpjekje.”

Bisedimet vijnë në një kohë kur provinca jugore siriane e Sweidës po përjeton përplasje të dhunshme mes luftëtarëve Druze, fiseve sunite beduine dhe forcave qeveritare. Sipas raportimeve, qindra persona kanë humbur jetën në përleshje, ndërsa Izraeli ndërhyri me sulme ajrore për të ndalur atë që e cilësoi si një “masakër të mundshme ndaj komunitetit Druze nga forcat qeveritare”, përcjell Jerusalem Post.

Tensionet në rajon mbeten të larta, por takimi i Parisit shënon një hap të rrallë në drejtim të dialogut ndërmjet palëve ndërluftuese.