
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar autorin e dyshuar të zjarrvënies së ndodhur një ditë më parë në fshatin Kakavijë, njësia Dropull, ku si pasojë u shkatërruan katër banesa, sipërfaqe pyjore, pemë frutore dhe u rrezikua jeta e banorëve.
I arrestuari është K. V., 39 vjeç, banor i zonës. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se gjatë punës me troko në oborrin e banesës së tij ka ndezur zjarr, i cili për shkak të erës së fortë ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një zonë të gjerë banimi.
Menjëherë pas njoftimit, forcat e Policisë, të ndihmuara nga zjarrfikësja, FRONTEX-i, Forcat e Armatosura dhe helikopterë të autoriteteve greke ndërhynë për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve në kohë, duke shmangur pasoja më të rënda në njerëz.
Ndaj 39-vjeçarit janë referuar materialet në Prokurorinë e Gjirokastrës për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë në Gjirokastër u bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos nisin zjarre të pakontrolluara. Çdo shkelës i ligjit do të përballet me pasoja penale. Rastet e dyshimta mund të denoncohen në numrin pa pagesë 112, me garanci për anonimat dhe ndërhyrje të menjëhershme.