Vendosni fjalën kyçe....

“Tmerr me plehrat në derë të qendrës shëndetësore” – Erjon Braçe denoncon papastërtinë në Selitë


Deputeti socialist Erjon Braçe ka ngritur një denoncim të fortë ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke i akuzuar për neglizhencë të thellë ndaj gjendjes alarmante të papastërtisë në zonën e Selitës.

Ai ka publikuar pamje dhe ka përshkruar situatën si “të tmerrshme”, me koshat e mbeturinave të mbushura dhe të pa pastruara pikërisht pranë qendrës shëndetësore të lagjes.

“Koshat dhe plehrat janë në derë të qendrës shëndetësore, dy hapa nga posta dhe pesë hapa nga kopështi i fëmijëve”, shkruan Braçe, duke theksuar se situata është edhe më shqetësuese për shkak të afërsisë me objekte që frekuentohen nga fëmijë dhe të sëmurë.

Deputeti kritikoi ashpër institucionet përgjegjëse për mungesën e veprimit:
Mesa duket në Bashki dhe Ministrinë e Shëndetësisë e hanë turpin me bukë!” – shkruan ai, duke shtuar:
Shikoni, plehrat këtu janë tmerr, por më tmerr është që Bashkia dhe Ministria e Shëndetësisë – si ofruese shërbimi por edhe si kujdestare për shëndetin publik – nuk lëvizin as qimen e flokut për këtë tmerr; kanë vapë!

Përmes këtij reagimi, Braçe i bën thirrje autoriteteve të ndërhyjnë menjëherë për të pastruar mbeturinat, duke theksuar se situata jo vetëm cënon standardet urbane, por përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik në një nga zonat e populluara të kryeqytetit.