
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në mbështetje të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë ku po përballet me drejtësinë ndërkombëtare.
Në një postim në Facebook, Rama ndau një citim nga një intervistë e fundit e Thaçit, ku ky i fundit shprehet: “Unë jam i privuar përkohësisht, por populli im është i lirë përjetësisht”.
“Shumë e vërtetë komandant”, komentoi Rama krahas citimit, duke rikonfirmuar qëndrimin e tij pro Thaçit dhe procesit çlirimtar të UÇK-së.
Në të njëjtin postim, kryeministri shtoi edhe një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj sistemit aktual të drejtësisë ndërkombëtare:
“Çka s’është as e lirë dhe as me erë të mirë është drejtësia ndërkombëtare”, shkroi ai.
Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020, ku së bashku me ish-krerë të tjerë të UÇK-së po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.