Vendosni fjalën kyçe....

Prezantohet drafti i Kodit të ri Penal, Manja: Ka ardhur koha për një instrument të ri ligjor



Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi sot draftin e ri të Kodit Penal, duke e cilësuar si një domosdoshmëri të diktuar nga zhvillimet shoqërore dhe ligjore të dekadave të fundit. Në fjalën e tij, ministri theksoi se Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe shpesh krijon vështirësi në zbatimin praktik nga gjykatat dhe organet e drejtësisë.

“Kodi që kemi në fuqi në momentin e miratimit në ’95 mishte 285 nene, ndërsa sot, pas më shumë se 30 ndërhyrjesh, ai përmban 327 nene dhe mbi 750 paragrafe. Ndryshimet janë bërë shpesh pa koherencë sistemike,” u shpreh Manja, duke shtuar se Kodi i ri do të mbështetet në Kushtetutën e vitit 1998 dhe do të jetë i përputhshëm me standardet e reformës në drejtësi.

Ministri nënvizoi se zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah forma të reja të kriminalitetit që kërkojnë përgjigje të qarta dhe adekuate nga sistemi penal.

Drafti i Kodit do të hidhet në konsultim publik, dhe Manja ftoi opozitën që të marrë pjesë aktive në tryezat e diskutimit: “Në Bashkimin Europian shkon Shqipëria, jo vetëm qeveria apo një forcë e caktuar politike,” u shpreh ai.

Sipas tij, kodi i ri synon të jetë një instrument bashkëkohor për drejtësinë penale dhe një gur themeli për sistemin ligjor të vendit në përputhje me integrimin europian.