Vendosni fjalën kyçe....

Pogradeci mirëpret Maratonën Kombëtare dhe Ndërkombëtare, cilat janë rrugët e bllokuara


Qyteti i Pogradecit do të jetë mikpritës i Maratonës Kombëtare dhe Ndërkombëtare më 26 korrik 2025, një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të sezonit veror. Aktiviteti organizohet nga shoqata “Maraton Albania”, në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit, dhe do të nisë në orën 19:00.

Maratona do të zhvillohet në dy kategori:

  • Gjysmë-maratona (21 km) do të nisë nga fshati Lin dhe do të përshkojë rrugën buzë liqenit deri në qendër të qytetit.

  • Mini-maratona (10 km) do të zhvillohet në itinerarin Pogradec – Buçimas – Tushemisht, për të përfunduar sërish në pikën e nisjes, duke kaluar përmes shëtitores dhe unazës së qytetit.

Për të garantuar sigurinë publike dhe rrjedhën e pandërprerë të aktivitetit, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara. Do të ketë prani të shtuar të forcave të rendit dhe do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore:

  • Në aksin Lin–Pogradec do të bllokohet krahu i majtë i rrugës.

  • Në segmentin Tushemisht–Pogradec, do të bllokohen të dy korsitë.

  • Do të ketë gjithashtu kufizime dhe bllokime në disa rrugë të brendshme të qytetit.

Kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 19:00 deri në 21:00.

Policia e Qarkut Korçë i bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke falënderuar të gjithë ata që kontribuojnë në mbarëvajtjen e këtij eventi sportiv në mënyrë të sigurt dhe dinjitoze.