
Dështimi i 52-të radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka shkaktuar reagime të forta nga përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe në Prishtinë. Ata e kanë cilësuar situatën si të papranueshme dhe zhgënjyese për qytetarët e Kosovës, përcjell REL.
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, deklaroi pas përfundimit të seancës së premten se “Kosovës i duhet një Kuvend pak a shumë menjëherë” dhe theksoi rëndësinë e një qeverie të re që do të mund të forcojë lidhjet me Brukselin. “Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE-së,” tha ai.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, u shpreh po ashtu kritik ndaj klasës politike, duke theksuar se qytetarët kanë votuar që më 9 shkurt, por Kuvendi vazhdon të mos konstituohet, duke e quajtur situatën “fatkeqësi”.
Ai komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur një masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për konstituimin e Kuvendit nga data 27 korrik deri më 8 gusht, për të shmangur dëmet e pariparueshme kushtetuese. Rohde e cilësoi këtë si “karton të kuq për klasën politike”.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, përmes një postimi në Facebook, i bëri thirrje politikanëve që të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese. “Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe qytetarët e saj po humbasin përfaqësimin politik dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme”, tha ai.
Të pranishëm në seancën e së premtes ishin edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Francës dhe të tjerë aktorë ndërkombëtarë, të cilët po ndjekin nga afër krizën institucionale.
Megjithëse pozita e kryetarit të Kuvendit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, partitë e tjera nuk janë dakord as me kandidaturën e Albulena Haxhiut, as me propozimin për të ndryshuar mënyrën e votimit nga e hapur në të fshehtë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka thirrur seancën e 53-të për të shtunën, më 26 korrik, në orën 14:00. Në këtë seancë pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe pesë nënkryetarët, çka do të mundësonte më në fund formimin e Qeverisë së re.