Vendosni fjalën kyçe....

Sekuestrohen pronat e një personi në Durrës, blerë me paratë e veprimtarisë kriminale të djemve të tij


 

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ka ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, për sekuestrimin e pasurive të shtetasit L.K.

Në kuadër të këtij vendimi, shtetasit L.K. i janë sekuestruar 1050 metra katrorë truall, një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë. Pasuritë janë dorëzuar në Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në prani të familjarëve të shtetasit.

Hetimet kanë zbuluar se këto pasuri janë fituar nga aktiviteti kriminal i dy djemve të L.K., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Ndërkaq, dy vëllezërit janë hetuar që nga viti 2017 në kuadër të një procedimi penal tjetër, për veprat penale “Vrasja”, në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.