
Kreu i Komisionit Antikorrupsion Fatmir Xhafaj ka dalë në një konferencë shtypi për të prezantuar rezultatet e punës dyvjeçare të komisionit.
Sipas tij janë hartuar dy raporte, njëri me 700 faqe është një analizë e punës dhe tjetri është Plani Kombëtar i Veprimit, që do ndihmojë në integrimin e vendit në BE.
“Kanë përfshirë 69 ekspertë ndërkombëtarë. 12 nga institucionet e pavarura, 12 nga komuniteti i biznesit, 23 nga bota akademike, pjesë edhe ekspertë nga diaspora. Dokument analitik me 700 faqe, i pari që mban ekspertizë shqiptare. Të gjithë faktorët e shoqërisë u përfshinë në proces. U përcaktuan ekspertë nga agjentitë e pavarura. Ky është dokument unik në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë në kaq dekada. U bënë 11 tryeza me mbi 1 mijë pjesëmarrës. Pati konsultim të gjerë publik në 14 muaj, ku janë përmbyllur dy fazat elementare të tij dhe i janë dorëzuar Kuvendit dy dokumente, analitiku dhe plani i kombëtar i veprimit, me sfida kyçe dhe masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, në kuadër të procesit të negociatave të Shqipërisë në BE, me qëllim qeverisjen e mirë, hapat konkret për integrimin. 238 masa konkrete, ku 160 janë masa institucionale. Këto janë dy dokumente të rëndësishëm kombëtar”, tha Xhafaj.
Sipas Xhafajt, komisionit në 14 muajt e punës nuk kishte nbdërhyrë në reformën në drejtësi dhe në asnjë prej 700 faqeve të analizës, nuk ka masa apo ndërhyrje.
“Qëllimi ynë nuk ishte ndërhyrja te qeveria apo institucionet e drejtësisë, por hartimin e dokumentit analitik dhe planin e veprimit kombëtar”, shpjegoi Xhafaj.
Fjala e Xhafajt
“Komisioni me dokumentat e hartuara dhe të miratuara adresoi një sërë poblematikash dhe vendosi piketa të qarta aq të domosdoshme për përballjen me 3 sfida kyç të zhvillimit, Mirëqëverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit ,thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ashtu si dhe nga ana tjetër përmes këtyre dokumentave qartësoi përgjegjësitë për një rol më aktiv të Kuvendit në procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE dhe reformimin e vetë Kuvendit, nisur kjo edhe nga konteksti i zhvillimeve të integrimit europian të Shqipërisë dhe reflektimet ligjore dhe institucionale me sfidat në kuadër të këtij procesi”, tha Xhafaj duke theksuar gjithashtu se metodologjia e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, është një ndër më të plotat dhe më të qartat për të garantuar transparencën, gjithëpërfshirjen dhe profesionalizmin.
Kuvendi tha ai, këtë përvojë të krijuar, këtë model tashmë të realizuar, mund t’a aplikojë në të gjitha proceset e tjera të ngjashme, në përmbushje edhe të rekomandimeve të vazhdueshme për këtë aspekt në raportet e Progresit të KE-së.
“Gjithë ky proces i ndërtuar është mbështetur dhe ka garantuar 4 parime themelore që janë: Gjithëpërfshirja, Transparenca, Profesionalizmi dhe Standardet më të mira ndërkombëtare. Synimi kryesor i komisionit ka qënë dhe besoj se ja kemi arritur përmes metodologjisë së zbatuar që i gjithë ky proces në vetvehte dhe veçanërisht dokumentat që janë hartuar së bashku me propozimet përkatëse të garantojnë standarte europiane si dhe reflektimin në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe kriteret për pozicionet negociuese”.
Duke folur për impaktin e punës së bërë në këtë komision nga rreth 119 ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ai përmendi disa nga arritjet, të cilat i çmon si vlera dhe risi të këtij procesi kompleks.
“1.Për herë të dytë në këto 10 vite, Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në hapësirën kushtetuese e institucionale për realizimin e një tjetër reforme shtetndërtuese që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës por që i shërben edhe procesit të anëtarësimit për Shqipërinë 2030 në BE. Vështirë të gjeni një shembull të dytë, në rajon dhe më gjerë, të ndërmarrjes me inisiativë nga vende kandidate për BE, të projekteve të tilla kaq komplekse, përfshirëse dhe me ambicien e fortë për ndryshim.
2.Përfshirje e gjerë e të gjithë faktorëve kyç të shoqërisë. Kjo e bën këtë një projekt kompleks për nga koordinimi dhe realizimi, por që përbën njëherësh edhe një model se si duhet të ndërtohen reforma të tilla duke shkuar nga analiza e situatës – te identifikimi i gjetjeve dhe adresimin e masave për zgjidhje – te procesi ligjvënës – dhe pastaj te zbatimi e monitorimi.
3.Ky proces ishte një kontribut tjetër me vlerë edhe në një aspekt tjetër me rëndësi lidhur me integrimin dhe imazhin e vendit. Një dëshmi e rritjes së vendit e institucioneve të tij edhe në një këndvështrim tjetër duke provuar se tashmë ne kemi kapacitetet për të ndërmarrë hapa të tilla, që vende të ngjashme me ne nuk kanë pasur kurajon t’i ndërmarrin.
4.Ne hartuam dhe miratuam një analizë, një Dokument Analitik prej rreth 700 faqesh, i pari dokument i këtij lloji që mban autorësinë e ekspertizës shqiptare. Analiza bën një skanim të situatës aktuale në 3 fushat, mbështetur në raportet përkatëse zyrtare të viteve të fundit, vendase dhe ndërkombëtare dhe kryesisht në gjetjet, vleresimet, problematikat dhe rekomandimet e Raporteve të BE dhe dokumentave ku shteti shqiptar ka shprehur angazhimet e tij në kuadër të procesit të integrimit.
5.Plani Kombëtar i Veprimit përbën një tjetër vlerë dhe risi të këtij procesi. Ai është një dokument unik i këtij lloji në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë gjatë këtyre dekadave të demokracisë parlamentare në vendin tonë.
6.Ky proces nuk mund të konsiderohej i plotë, pa realizimin e një procesi intensiv të konsultimit publik për të gjitha fazat e hartimit të dy dokumentave”, tha Xhafaj teksa përmendi 11 tryeza debati dhe diskutimi, 8 forume dialogu qytetar; 2 konferenca të nivelit të lartë për prezantimin e Analizës dhe Planit Kombëtar të Veprimit etj.
Përgjatë këtyre 14 muajve, komisioni ka përmbyllur dy fazat e para të tij dhe i ka dorëzuar Kuvendit dy dokumente parlamentare bazë: Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit. Ai shpjegoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve.
“Dokumenti Analitik për të tre fushat; Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit, është një dokument me 709 faqe dhe trajton të gjitha aspektet në 18 kapituj. Struktura e analizës është e organizuar në mënyrë të tillë që për çdo çështje të ofrohet një pasqyrë e situatës aktuale, duke shqyrtuar masat ligjore dhe institucionale të zbatuara. Për përgatitjen e kësaj analize, Ekspertët e Nivelit të Lartë kanë skanuar dhe analizuar mbi 15.000 faqe dokumenta, analiza e raporte të ndryshme. Plani Kombëtar i Veprimit është një dokument që përcakton masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, të cilat synojnë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, në kuadër të procesit të negociatave të antarësimit të Shqipërisë BE.
Plani kombëtar i veprimit përmban 56 fusha tematike të cilat adresojnë çështjet kryesore me 238 masa konkrete, nga të cilat 78 janë nisma ligjore dhe 160 masa institucionale. Këto janë dy dokumente të rëndësishëm parlamentar, produkt i punës së komisionit. Ndërkohë që kemi hapur rrugën edhe për zbatimin e masave ligjore dhe institucionale të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit. Ashtu siç bëmë jo më larg se dje në diskutimin dhe konsultimin publik të dy projektligjeve si masa institucionale të propozuara në Planin Kombëtar të veprimit të shtyllës antikorrupsion dhe siç do bëjmë me procesin që pason. Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit të miratuar e të publikuar në faqen e komisionit, përbëjnë dokumenta parlamentare me rëndësi dhe janë pjesë e përgjegjësive dhe angazhimit të strukturave të Kuvendit në fushat respektive”, tha Xhafaj.
Sa i përket të ardhmes së veprimatisë së Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj tha se bazuar edhe në diskutimet e deritanishme, mbështetur në Rezolutën e Kuvendit, por edhe në masat e propozuara në Planin Kombëtar të Veprimit, është e nevojshme që një Komision ose një nënkomision parlamentar i përhershëm ose një strukturë në nivel institucional që do gjykohet nga Parlamenti, të vijojë veprimtarinë e tij.
“Kjo për të vijuar me fazën e tretë të hartimit dhe miratimit të projektligjeve të identifikuara si masa nga Plani Kombëtar i Veprimit si pjesë e listës prioritare të ligjeve ashtu si dhe me vijimin e punës për realizimin e detyrës për kapitullin “III.3 – Konsolidimi i reformës në drejtësi”. Dokumenti analitik e veçanërisht Plani Kombëtar i Veprimit bashkëngjitur janë dokumenta parlamentare me vlera të shumëanshme, efekti shumë pozitiv i të cilave do të përcaktohet nga shkalla e angazhimit për zbatimin e tij nga Kuvendi dhe strukturat e tij në legjislaturën e ardhshme 2025 – 2029 në funksion të ambicies sonë legjitime – Shqipëria 2030 në BE”, tha Xhafaj teksa në përfundim falënderoi kolegët deputetë pjesëmarrës në këtë komision, Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, Sekretariatin Teknik, stafin e Kuvendit dhe të gjithë aktorët që kanë marrë pjesë aktivisht në proceset e konsultimit dhe diskutimit, vendas dhe ndërkombëtar, përfaqësues të institucioneve publike, institucioneve të pavarura, shoqërisë civile, botën akademike, komuniteti i biznesit, qytetarë, që janë angazhuar në këtë proces dhe natyrisht gazetarët e lirë të medias që kanë përcjellë mbledhjet dhe janë përpjekur të pasqyrojnë me realizëm punën që është bërë.”