
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për emisionin Rubikon në Klan Kosova, ka folur për arrestimin nga Gjykata Speciale, si dhe për bashkëpunimin e tij afatgjatë me disa administrata amerikane.
Thaçi tha se nuk ndihet as i tradhtuar e as i mashtruar, por i abuzuar nga ata që, sipas tij, pa të drejtë e ndanë nga familja dhe i morën vitet më të bukura të jetës.
“Jo, nuk ndihem as i tradhtuar, as i mashtruar. Ndihem i abuzuar nga ata që në emër të diçkaje fiktive pa të drejtë më shkëputën nga familja, më përjashtuan nga puna, m’i morën vitet më të bukura të jetës,” – deklaroi ai.
Ish-kryeministri theksoi se Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë paraqitur siç duhet rrëfimin e çështjes së tij në arenën ndërkombëtare.
“Perëndimi dhe SHBA-të nuk servuan rrëfimin e lëndës,” – tha Thaçi.
Ai shtoi se ka pasur marrëdhënie shumë të mira me administratat amerikane ndër vite, duke përmendur bashkëpunimin me presidentët nga Bill Clinton e deri te Donald Trump. Thaçi përmendi gjithashtu se në raste të ndryshme ka biseduar për Kosovën edhe me ish-presidentët George H. W. Bush dhe Jimmy Carter.
“Kam punuar me disa administrata amerikane, efektivisht në raporte të shkëlqyera. Nga Presidenti Klinton (mandati i dytë), Bush i Riu, Obama dhe Biden, e deri te Trump. Në ngjarje dhe kohë të ndryshme në SHBA kam folur për Kosovën edhe me Presidentin Bush i Vjetër dhe Xh. Karter,” – deklaroi ai.