Vendosni fjalën kyçe....

Vala e krimit trondit politikën kiliane, e djathta në rritje synon rikthimin në pushtet


Majtas kandidati i djathtë Kast, djathtas kandidatja e majtë Jara

Një rritje e krimit të organizuar ka riformësuar politikën e Kilit përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke i dhënë të djathtës së vendit mundësinë më të mirë për të fituar pushtetin.

Kili, një nga vendet më të sigurta dhe më të pasura të Amerikës Latine, ka vuajtur valën e parë të madhe të krimit të bandave gjatë pesë viteve të fundit, pasi grupet kriminale nga Venezuela dhe vende të tjera kanë zgjeruar tregjet e mëparshme të Kilit për drogë, trafikim qeniesh njerëzore dhe zhvatje.

Rrëmbimet, copëtimet dhe krime të tjera të dhunshme, dikur të padëgjuara, kanë përmbytur median dhe shkalla e vrasjeve në Kili është dyfishuar që nga viti 2015. Kilianët e kanë renditur prej kohësh sigurinë midis shqetësimeve të tyre kryesore, por sondazhet tregojnë se kjo çështje tani i tejkalon të gjitha të tjerat.

Kjo i ka sjellë dobi José Antonio Kast-it, një politikan në kandidimin e tij të tretë për president, i cili ka bërë karrierë duke kritikuar trajtimin e krimit dhe emigracionit nga qeveritë e mëparshme. Arturo Squella, president i partisë Republikane të Kast, tha në një intervistë: “Kilianët mund ta shohin qartë se kandidatët e tjerë konkurrues nuk kanë pasur vendosmërinë për t’u përballur drejtpërdrejt me trafikantët e drogës dhe krimin e organizuar. Ata e shohin këtë vendosmëri te José Antonio Kast.”

Kast premton të frymëzohet nga presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, dhe të ndërtojë një pengesë kufitare për të mbajtur jashtë emigrantët pa dokumente.

Një sondazh nga grupi i hulumtimit të opinionit publik Cadem në korrik parashikoi që Kast të fitonte 27 përqind të votave, duke e vendosur atë menjëherë pas kandidates së koalicionit të majtë Jeannette Jara me 29 përqind.

Kast dhe Jara kanë bagazhe politike që mund të shkurajojnë votuesit e moderuar. Kast, bir emigrantësh gjermanë dhe baba i nëntë fëmijëve, është mbrojtës i ish-dikatorit polemizues të vendit të shekullit të 20-të të Kilit, Augusto Pinochet. Jara është anëtare e Partisë Komuniste, e cila mbështet regjimet autoritare në Kubë dhe Korenë e Veriut.

“Një Pinochetist nuk ka fituar kurrë zgjedhje në Kili, por as një komunist”, tha Patricio Navia, një profesor në Universitetin e Nju Jorkut.

“Këto duken si zgjedhje të papara.”

Krimi, së bashku me rritjen e dobët ekonomike, kanë dëmtuar popullaritetin e presidentit të majtë Gabriel Boric, një ish-drejtues studentor. Ai është i ndaluar të kandidojë për një mandat të dytë radhazi sipas kushtetutës së Kilit. Jara ishte ministrja e tij e Punës.

Qeveria e Boric ia kushtoi gjysmën e parë të mandatit të tij përpjekjeve të dështuara për të zgjeruar shtetin e mirëqenies së Kilit dhe për të rishikuar rrënjësisht kushtetutën e tij. Një ndryshim i mëvonshëm për t’u përqendruar te siguria, të cilën ai tani e quan “prioriteti numër një”, nuk ishte i mjaftueshëm për të bindur votuesit dhe vlerësimet e tij të miratimit rrallë janë rritur mbi 30 përqind.

Zyrtarët thonë se mbërritja e qindra mijëra emigrantëve nga Venezuela e goditur nga kriza, e kombinuar me një tërheqje të pranisë shtetërore gjatë izolimit të pandemisë, ka lejuar që vendbanimet informale të kontrolluara dobët të lulëzojnë dhe ka krijuar një grup njerëzish të prekshëm për t’u shfrytëzuar, veçanërisht në Kilin verior.

Santiago gjithashtu ka ndryshuar. Muret e qendrës së qytetit janë ende të mbushura me grafite nga protestat muajshe në vitin 2019 për koston e jetesës. Shitësit informalë ambulantë janë shumuar dhe dyqanet mbyllen më herët.

Të shtëna fatale kanë ndodhur shpesh në lagjet e zhurmshme rreth stacionit qendror të kryeqytetit dhe në korrik autoritetet zbuluan atë që dukej të ishte një “shtëpi torturash” e përdorur nga bandat.

“Hajdutët më parë vidhnin telefonin tuaj celular, por tani do t’ju qëllojnë,  njerëzit nuk dalin më natën”, tha Marco González, 33 vjeç, i cili shet pajisje sanitare në zonë dhe planifikon të votojë për Kast. “Qeveria ka qenë shumë e dobët për ta kontrolluar krimin.”

Qeveria e Boric ka rritur shpenzimet e sigurisë, ka miratuar ligje që synojnë krimin e organizuar dhe ka burgosur qindra anëtarë të bandave, përfshirë edhe nga banda Tren de Aragua e Venezuelës.

Shkalla e vrasjeve ka rënë pak, nga një kulm prej 6.7 për 100,000 banorë në vitin 2022 në 6 për 100,000 në vitin 2024, dhe mbetet ndër më të ulëtat në Amerikën Latine. Por vepra të tjera penale mbeten kokëfortësisht të larta. Një sondazh qeveritar i publikuar në korrik zbuloi se 5.8 përqind e kilianëve kishin qenë viktimë e një krimi të dhunshëm vitin e kaluar.

“Shteti i ka ndjekur intensivisht këta kriminelë dhe po arrijmë rezultate”, tha ministri i Sigurisë Luis Cordero në një intervistë.

“Sigurisht, do doja që rezultatet të vinin më shpejt, por disa do jenë të dukshme vetëm në afat të mesëm ose afatgjatë.”

Kast argumenton se qeveria nuk ka shkuar aq larg sa duhet. Ai premton të forcojë mbrojtjen ligjore për oficerët e policisë që përdorin forcë dhe ta bëjë më të lehtë dëbimin e emigrantëve për hyrje të paligjshme.

Vitin e kaluar Kast vizitoi burgun gjigant të El Salvadorit me kapacitet 40,000 vetë, kushtet e ashpra të të cilit janë bërë pika qendrore e goditjes së Bukeles kundër bandave. Squella tha se ata do importonin “të gjithë elementët që janë të përshtatshëm në Kili”, duke përfshirë ndërprerjen e kontaktit të anëtarëve të bandave me botën e jashtme.

“Ne do rimarrim të drejtën e shtetit për të përdorur forcën, do rivendosim ndjenjën e autoritetit dhe do e bëjmë punën e policisë më proaktive”, shtoi ai.

Ndërkohë, Jara është zotuar të rimëkëmbë lagjet e kontrolluara nga bandat “duke investuar në infrastrukturë, kulturë dhe një prani të përhershme shtetërore” dhe të ndryshojë ligjet bankare për ta bërë më të lehtë gjurmimin e pastrimit të parave.

Kast mbetet favoriti, por analistët thanë se Jara, një folëse karizmatike që u rrit në një lagje të klasës punëtore, po rezultonte të ishte një kandidate e papritur e fortë dhe mund ta përqendronte fushatën e saj në kujdesin shëndetësor, gjë që sondazhet sugjerojnë se është një shqetësim në rritje.

“Ka një mesazh të fortë anti-elitizëm brenda saj, i cili ka funksionuar në shumë vende kohët e fundit”, tha Robert Funk, një Profesor i Asociuar i Shkencave Politike në Universitetin e Kilit.

“Kandidatët e krahut të djathtë duken të gjithë mjaft elitarë. Të gjithë kanë mbiemra gjermanë.”

Këto janë zgjedhjet e para presidenciale të Kilit nën një sistem votimi të detyrueshëm. Miliona votues të rinj potencialë e bëjnë të vështirë përjashtimin e një rritjeje të vonë për një kandidat anti-establishment, apo edhe konservatoren tradicionale Evelyn Matthei, e cila është pas Kast, thanë analistët.

Megjithatë, Carlos Avendano, një inxhinier civil i papunë dhe shofer Uber në të 40-at, parashikoi se Kast do fitonte.

Nuk jam i djathtë ekstrem, por ky vend ka nevojë për stabilitet”, tha ai.

“Partitë e tjera kanë treguar tashmë se nuk kanë atë që duhet.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani