
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi dënimin me tre vite burg për Aleksandër Lahon alias Rrumi iShijakut.
Ai u dënua me 3 vjet burg po për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i është ulur në dy vjet.
Laho është dënuar për tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë te Gjiri i Lalzit. Ndaj Lahos dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja u bë atentat më 1 nëntor 2019.
Ata u qëlluan me breshëri plumbash teksa udhëtonin me makinën e Ndojës në autostradën Tiranë-Durrës pranë mbikalimit të Shkozetit. Nga të shtënat humbi jetën shoferi I Ndojës Andi Maloku.
Njoftimi
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 28.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.L., ndaj vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:
– Deklarimin fajtor të të pandehurit A.L. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 244 dhe 50, shkronja gj) të K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
– Në bazë të nenit 406 paragrafi 1 i K.Pr.Penale të pandehurit A.L. i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
– shpenzimet procedurale edhe në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurit.
U shpall në Tiranë, më 23.07.2025.”