
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë zyrtarisht të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke i komunikuar katër akuza në ambientet e paraburgimit të Durrësit.
Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) shkuan mëngjesin e së martës në paraburgim, ku qëndruan për rreth 15 minuta dhe i bënë me dije Veliajt akuzat që rëndojnë mbi të: korrupsion në 8 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e paligjshme e sendeve në burg. Prokurori i çështjes, Olsi Dado, nuk ishte i pranishëm gjatë komunikimit të akuzave.
SPAK ka zgjeruar hetimet duke marrë të pandehur edhe bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, e cila përballet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Gjithashtu është marrë nën hetim edhe deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, për rolin e dyshuar në aferën e hetuar nga SPAK.
Lista e të pandehurve përfshin edhe dy biznesmenë, përfshirë Gentian Sulën, të cilit i është komunikuar akuza për korrupsion aktiv gjatë një paraqitjeje në ambientet e SPAK-ut.
Ndërkohë, nën hetim është vendosur edhe një punonjës policie i burgjeve, i cili dyshohet se i ka dorëzuar në mënyrë të paligjshme një telefon celular kryebashkiakut Veliaj gjatë qëndrimit të tij në paraburgim.