Vendosni fjalën kyçe....

Ftesa për Grupkapitullin 5, Spiropali: Kuvendi mbështet objektivin kombëtar për Shqipërinë në BE deri në 2030


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas ftesës zyrtare që Shqipëria ka marrë nga Presidenca Daneze për të paraqitur Pozicionin Negociues për Grupkapitullin 5, që përfshin “Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin”.

Në një deklaratë publike, Spiropali e cilësoi këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit dhe një dëshmi të qartë të progresit të qëndrueshëm në negociatat me Bashkimin Europian.

“Ftesa e Presidencës Daneze për paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe Konferenca Ndërqeveritare që do të mbahet së shpejti përmbyllin çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave,” u shpreh Spiropali.

Ajo nënvizoi se institucionet shqiptare, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, do të vijojnë të ofrojnë mbështetje të plotë për këtë proces, duke përforcuar përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe forcimin e kohezionit social dhe territorial.

“Kuvendi do të vijojë të mbështesë maksimalisht paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe përpjekjet, kontributet dhe investimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe kohezionin social e territorial të Shqipërisë, si dhe do të intensifikojë diplomacinë parlamentare për arritjen e objektivit tonë kombëtar për Shqipërinë 2030 në BE,” deklaroi Spiropali.

Konferenca Ndërqeveritare e radhës pritet të shënojë një hap vendimtar drejt përmbylljes së fazës së parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.