
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur sot zyrtarisht shpërndarjen e mandateve për disa nga subjektet garuese në zgjedhjet e 11 majit, përfshirë Partinë Socialiste, PD-ASHM, Partinë Mundësia dhe Lëvizjen Bashkë.
Por vëmendja më e madhe ka qenë te vendimmarrja për mandatin e Nismës “Shqipëria Bëhet” dhe për PSD-në e Tom Doshit, ku janë regjistruar zhvillime të rëndësishme.
Pas një beteje disa javëshe për mandatin mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, KQZ ka vendosur që mandati t’i kalojë Kleana Xhuvelit, kandidates së listës së mbyllur të koalicionit “Shqipëria Bëhet”. Vendimi erdhi pasi KQZ vlerësoi se dorëheqjet e mëparshme nga kandidimi të disa anëtarëve të listës së mbyllur nuk përbënin dorëzim mandati, pasi ky ende nuk ekzistonte në momentin e paraqitjes së dorëheqjeve.
“Koalicioni është regjistruar me vendim nr. 237 në KQZ për zgjedhjet e 11 majit. Sipas marrëveshjes së depozituar, subjektet kanë rënë dakord për lista të fiksuara dhe garë të hapur. Ka fituar një mandat në qarkun Tiranë. Më datë 11 maj, kandidatët e listës së mbyllur kanë dorëzuar dorëheqje nga kandidimi – jo nga mandati, pasi ky nuk ekzistonte ende. Kjo e përjashton ata nga çdo e drejtë për të përfituar mandatin,” sqaroi përfaqësuesja e KQZ-së, Dorina Prethi.
Me këtë vendim, përfundon zyrtarisht përplasja për mandatin mes dy figurave kryesore të koalicionit, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, duke i hapur rrugë Kleana Xhuvelit që të bëhet deputetja e parë e kësaj force politike.
Nga ana tjetër, edhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka vendosur të djegë listën e mbyllur për qarkun Tiranë, duke i dhënë mandatin kandidatit më të votuar nga lista e hapur, Tedi Mula.
Mula, 30 vjeç, mori rreth 2500 vota preferenciale dhe është nipi i artistëve të njohur Avni dhe Inva Mula.
Ai është gjithashtu sipërmarrës në fushën e agropërpunimit.
Këto vendime të rëndësishme shënojnë një precedent të ri në interpretimin e listave të mbyllura dhe mekanizmit të shpërndarjes së mandateve, veçanërisht në kontekstin e marrëveshjeve parazgjedhore dhe ndryshimeve të qëndrimeve të kandidatëve pas përfundimit të votimit.