
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të prishë vendimin e mëparshëm të Shkallës së Parë për ish-deputetin Alqi Bllako dhe të rikthejë çështjen për rigjykim në një trupë tjetër brenda së njëjtës gjykatë.
Në mars 2025, GJKKO e dënoi Bllakon me 4 vite burg për akuzat që lidhen me dosjen e inceneratorëve, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 2.8 vite.
Trupa gjykuese e Apelit e përbërë nga gjyqtaret Saida Dollani (kryesuese), Miliana Muça dhe Tereza Merkaj, shqyrtoi ankimimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe ankimimin e vetë të pandehurit ndaj vendimit nr. 22, datë 11.03.2025, të dhënë nga Shkalla e Parë e GJKKO.
Në përfundim, Apeli vendosi të prishë vendimin dhe të urdhërojë rigjykimin e çështjes në një kolegj tjetër gjykues të GJKKO.